Janë të paktën 30 shtetasit serbë që ndodhen në listën e zezë të Uashingtonit dhe që nuk u lejohet hyrja në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat serbe, sipas të cilave lista në fjalë kryesohet nga persona VIP, mes të cilëve kryetari i Partisë Progresiste të Serbisë, Tomisllav Nikoliç.

Vetë Nikoliç ka refuzuar të bëjë komente mbi këtë lajm, duke thënë për gazetën “Alo” se nuk ka informacion për një gjë të tillë dhe se nuk ka kërkuar ndonjëherë vizë për në SHBA.

Sipas gazetës, Uashingtoni zyrtar ka më shumë besim tek zëvendësi i Nikoliç, Aleksandr Vuçiç, i cili është nxjerrë jashtë listës së zezë.

Përveç të sipërpërmendurit, në listën në fjalë ndodhen edhe biznesmeni Miroslav Miskoviç, lideri i serbëve të Kosovës Marko Jakshiç, familjarë të Sllobodan Millosheviç, etj.

Gjithashtu, në të ndodhen edhe emrat e disa prej anëtarëve të regjimit të “kasapit të Ballkanit”, si ish-ushtarakët Nikolla Shainoviç e Vojisllav Sheshel, si dhe Ratko Mlladiç e Radovan Karaxhiç.

Nuk mungojnë edhe emra të kriminelëve të njohur serbë, si ai i Milorad Ulemek Legija, shefi i klanit famëkeq të Zemunit, përgjegjës për vrasjen e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiç.

Lista e zezë rishikohet çdo vit nga Departamenti i Shtetit, i cili ka të drejtën të nxjerrë prej saj personat, por vetëm pasi të jetë dhënë leja nga vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA