“Më 10 shkurt, Arbeni doli në protestë sepse nuk ishte dakord me disa zgjidhje të parashikuara në dokumentin e Ahtisarit”, thotë Shaban Xheladini, babai i Arben Xheladinit, i vrarë në protestën e 10 shkurtit.
Ishte kjo arsyeja kryesore për të cilën lëvizja Vetëvendosje thirri në protestë gjithëpopullore qytetarët e Kosovës. Paketa e Ahtisarit që po negociohej në Vjenë nga ekipi i unitetit ishte e papranueshme për lëvizjen e Albin Kurtit.
Demonstrata e 10 shkurtit 2007 dhe qëllimi politik që mbarte në vetvete mblodhi jo vetëm qytetarë, por edhe politikanë e veprimtarë të çështjes kombëtare. Kosova nuk ishte shtet, ajo ndodhej nën protektoratin ndërkombëtar dhe për gjithçka vulën e fundit e jepte shefi i UNMIK-ut që funksionoi nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. Kështu ndodhte edhe kur kishte tubime publike, ato drejtoheshin nga policia ndërkombëtare.
Më 10 shkurt 2007 ndodhi diçka e pazakontë. Në një protestë paqësore policia rumune qëlloi me plumba gome mbi protestuesit dhe vrau Arben Xheladinin dhe Mon Balajn. 4 të tjerë u plagosën rëndë nga plumbat e policisë ndërkombëtare ndërsa 80 të tjerë morën lëndime më të lehta.
“Arsyeja se pse nuk është hapur procedurë zyrtare kundër policëve rumunë ka qenë imuniteti. Por, nga presioni i madh i publikut është caktuar një prokuror nga UNMIK-u për këtë çështje. Ky prokuror doli në përfundim se nuk ishte nevoja për të ushtruar dhunë vdekjeprurëse nga policia, por nuk ishte i mundur identifikimi i agjentëve që kryen vrasjet. Gjithashtu nuk u bë një hetim në grup siç është bërë gjithmonë me shqiptarët”, thekson avokati Tom Gashi.
5 vjet pas kësaj ngjarjeje, i akuzuari i vetëm ishte Albin Kurti. Mbi të rëndonte akuza për prishje të rendit dhe qetësisë publike, nxitje të përgjigjes policore dhe organzimin e demonstratave të dhunshme. Sistemi juridik i asaj kohe arriti ta fajësojë Kurtin për këto vepra duke i shqiptuar dënimin me burg, ndërsa do të mbahet mend aksioni i Policisë së Kosovës për ta arrestuar Kurtin në ditën kur subjekti i tij politik do t’i futej garës për zgjedhjet parlamentare 3 vjet pas demonstratës.
Por e kundërta ndodhi me policitë ndërkombëtare, të cilët imuniteti i shpëtoi përjetësisht. Ishin ata të cilët gjuajtën pa dhimbje drejt protestuesve. Asnjëherë nuk është hapur procedurë gjyqësorë ndaj dy policëve rumun të cilët u identifikuan më vonë nga prokurori ndërkombëtar Robert Dean.
Institucionet e Kosovës edhe pas shpalljes së pavarësisë zgjodhën heshtjen në vend të një presioni te bashkësia ndërkombëtare për sjelljen para drejtësisë të atyre që morën dy jetë njerëzish.
Arben Xheladini dhe Mon Balaj u cilësuan nga lëvizja Vetëvendosje Dëshmorë të Vullntetit për Liri dhe Vetëvendosje. Familjarët e tyre, përveç zhgënjimit ndaj institucioneve të republikës në këtë përvjetor kanë pak për të thënë.
Një deklaratë e kryeministrit Thaçi e bërë në prag të 5 vjetorit në kuvend rihapi plagën e Shaban Xheladinit, babait të Arbenit: “Nuk ka pasur nevojë Kosova për viktima të reja në kohë paqeje. Duhet tu vijë turp!”
“Kryeministri shfajësoi policët rumunë dhe ne jemi të irrituar shumë. Na vjen shumë keq dhe kur dëgjojmë këto fjalë na duket sikur na i gërryejnë plagët”, thotë Shaban Xheladini.
Të harruar tërësisht nga shteti, familjet e dy të vrarëve duket se i kanë humbur shpresat se ndonjëherë dikush do të paguajë për humbjen dhe dhimbjen e shkaktuar. Olti, i cili ishte vetëm 4 vjeç kur iu vra babai, sot nuk gëzon asnjë lloj përkrahjeje institucionale.
Në këmbim të heshtjes, UNMIK-u ofroi nga 50 mijë euro për familjen Xheladini dhe Balaj. Një ofertë e tillë nuk u pranua.
Ndërsa fakti se kjo protestë u organizua nga një lëvizje që më vonë do të shndërrohej në parti politike bëri që protesta të vlerësohej si mjet për të mbërritur tek qëllimet e caktuara politike.
Gjithsesi, 5 vjet pas protestës, nuk janë dënuar fajtorët. Dhe fakt mbetet që me apo pa arsye politike, ata që shkrepën armën me plumba gome nuk kanë dalë para drejtësisë. Madje policët rumune që dyshohen se e vranë Arbenin dhe Monin janë dekoruar nga shteti i tyre për shërbim të mirë në Kosovë. Kjo, ka ndodhur edhe pse në të gjitha raportet ndërkombëtare edhe në vete hetimin e prokurorisë speciale atë kohë, ishte vlerësuar se policia përdori dhunë të tepruar dhe plumba vdekjeprurës.
Top Channel