Ibrën s’e mbajnë nervat

09/02/2012 00:00

Vetëm pak ditë nga kartoni i kuq ndaj Napolit, Zlatan Ibrahimovich-in nuk i mbajnë nervat dhe përsërit, edhe pse në mënyrë më pak të dukshme, gjestin e trupshëm që kreu ndaj mbrojtësit napolitan, Aronica.

Vetëm se këtë herë, viktimë e gjaknxehtësisë së gjigandit suedez ka qenë portieri i Juventusit, Storari. Në fund të ndeshjes së humbur 1-2 nga kuqezinjtë, suedezi iu afrua Marko Storarit dhe një përballje kokë më kokë arriti kulmin në një goditje të lehtë në mjekrën e portierit. Gjest që ndezi një grindje ku u përfshinë shumë lojtarë

Mes më nervozëve ishte mbrojtësi Xhiorxhio Kielini, i cili në tunelin që të çon drejt dhomave të zhveshjes pati kontakt fizik me Bonerën pas një debati me fjalë me zëvendëstrajnerin e kuqezinjve Mauro Tasoti. Pas disa momenteve tension, gjithçka u qetësua.

“Nuk vrau njeri, as nuk i nxiu ndonjërit syrin, por gjesti i Ibrës ishte pak a shumë i njëjtë si ai i së dielës ndaj Aronicas dhe shpresoj që kjo që them unë të dokumentohet me pamjet filmike”, deklaroi mbrojtësi i Juventusit Kielini për mediat italiane pas takimit. Ndërsa sa i përket zënkës së tij me zv/trajnerin e Milanit, Tasoti, mbrojtësi juventin e minimizoi atë duke deklaruar se nuk kishte ndodhur asgjë: “Nuk ndodhi asgjë. Isha duke protestuar për gjestin e Ibrahimovich ndaj Storarit dhe gjithësecili mbron lojtarët e vet”.
 

Top Channel