Fabio Capello ka lëshuar një komunikatë për të falenderuar të gjithë ata persona që e kanë ndihmuar gjatë punës së tij si teknik i kombëtares angleze të futbollit pas dhënies së dorëheqjes ditën e mërkurë nga detyra e tij.
“Doja të falenderoja të gjithë lojtarët, teknikët dhe federatën (FA) për profesionalizmin e treguar gjatë viteve që unë kam qenë në krye të kombëtares”, theksoi italiani, i cili u largua nga detyra pas katër vitesh si trajner i “Tre Luanëve”.
Gjithashtu Capello falenderoi “të gjithë tifozët që kanë mbështetur ekipin”.
“I uroj të gjithë anglezëve shumë suksese”, shton italiani.
Capello nuk sqaroi motivet që e larguan nga drejtimi i Anglisë, por vendimi i tij ka të bëjë me heqjen e shiritit të kapitenit nga ana e FA-së mbrojtësit John Terry, vendim që nuk u pëlqye aspak nga Fabio Capello.
Të dielën, Capello foli në televizionin “RAI”, ku u shpreh se i duket e padrejtë që vendimi për të privuar dikë nga qënia kapiten të vijë përpara se autoritetet sportive të shprehen nëse lojtari është apo jo fajtor.
John Terry akuzohet për fyerje raciste ndaj mbrojtësit të QPR-së, Anton Ferdinand.
Top Channel