Gjykata e Qarkut në Prishtinë mori dy vendime këtë të enjte në lidhje me cështjen “Klecka”. Së pari refuzoi kërkesën e mbrojtjes për të marrë si dëshmitar prokurorin e këtij rasti, Mauricio Salustro dhe nga ana tjetër hodhi poshtë kërkesën e vetë Salustros për paraburgosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës Fatmir Limaj.

Prokurori i cështjes “Klecka” kërkoi nga trupi gjykues pezullimin e masës së arrestit shtëpiak për Limajn dhe shqiptimin e masës së paraburgimit me arsyetimin se Limaj duke komunikuar me njerëz të paautorizuar mund të ndikojë te persona që mund të jenë dëshmitarë të këtij procesi.

Në arsyetimin e tij prokurori iu referua kontaktit që Fatmir Limaj ka pasur me shoferin dhe rojën e tij. Sipas prokurorit “kjo nuk është hera e parë që Fatmir Limaj i afrohet një dëshmitari dhe se ai nuk e meriton më besimin e gjykatës. I menjëhershëm ishte reagimi i mbrojtjes dhe vet deputetit Fatmir Limaj. Ndërkohë, mbrojtja argumentoi se Fatmir Limaj asnjëherë nuk ka tentuar të arratiset dhe vetë Limaj kërkoi falje për shkeljet që ai mund t’i ketë bërë pa vetëdije duke komunikuar me persona të afërm në prezencë të policisë dhe mediave.
 
“Pjesë e kontaktit të ka qenë edhe Shpëtim Telaku. Zoti Telaku nuk është as dëshmitar i mbrojtës as i prokurorisë. kjo vërteton edhe njëherë kërkesën e mbrojtjes se prokurori Salustro duhet të përjashtohet nga ky proces gjyqësor, pasi ai nuk mund të jetë i paanshëm”, deklaroi avokati i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj.

I vetmi ndryshim i bërë në aktvendimin e gjykatës është se Limaj tani e tutje do të shoqërohet nga eskorta e Policisë së Kosovës deri në shtëpi e jo me automjet privat sic ka ndodhur më parë. Ndërsa për shkak se një anëtar i trupit gjykues është në gjendje jo të mirë shëndetësore, ky proces gjyqësor shtyhet deri më datë 28 shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA