Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar sot përmbajtjen e kërkesës që ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese, për shfuqizimin e mocionit të qeverisë së Kosovës.

Mocioni në fjalë, i miratuar më 20 janar, rrëzoi atë të Vetëvendosjes të miratuar më 7 dhjetor, për aplikimin e një reciprociteti të plotë me Serbinë.

Sipas një komunikate për shtyp të VV, kjo lëvizje kundërshton pikën e parë të mocionit të Kontestuar, që thotë se Kuvendi i Kosovës mirëpret arritjen e marrëveshjeve me Serbinë dhe mbështet zbatimin e tyre.

Ndërkohë që sipas partisë së tretë politike, një gjë e tillë bie ndesh me Kushtetutën, pasi marrëveshja nuk është ratifikuar por vetëm mirëpritur.

“Ky vendim i Kuvendit të Kosovës bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë më nenin 18 të Kushtetutës dhe si i tillë shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mënyrën e përshkruar për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, në një reagim tjetër, lidershipi i Vetëvendosjes ka deklaruar se, Kosova ndodhet pranë skenarit të futjes së çështjes së veriut mes temave të bisedimeve në dialogun me Serbinë.

Sipas drejtuesve të lëvizjes, kjo është arsyeja pse kryeministri Hashim Thaçi po kërkon unitet politik, ndërkohë që përmes shantazheve po përpiqet të largojë vëmendjen e opinionit publik nga këto zhvillime.

“Vetë plani i Ahtisarit ka qenë një çmim i madh që Kosova nuk duhej ta paguante për pavarësinë e saj. Ndërsa tani çështja e veriut do të jetë një çmim i ri”, ka deklaruar kreu i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA