Kryeministri kosovar Hashim Thaçi deklaroi të mërkurën se plani 4-pikësh i presidentit serb Boris Tadiç është i papranueshëm për Kosovën.
“Ka kaluar koha kur Serbia projektonte pika të ndryshme apo plane për Kosovën”, theksoi Thaçi në mbledhjen e kabinetit të tij.
Kryeministri i kujtoi presidentit serb se, Kosova më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë e saj dhe që prej atëherë nuk ka më lidhje me Serbinë.
Thaçi nënvizoi se sot Kosova ka kushtetutën dhe ligjet e saj dhe se do të jetë e përkushtuar për implementimin e planit të Ahtisarit.
Plani 4-pikësh u prezantua nga presidenti Tadiç në fillim të vitit, kur ai deklaroi se për zbatimin e tij do të kërkonte ndihmën e fuqive të mëdha që nuk mbështesin pavarësinë e Kosovës.
Katër pikat janë: gjetja e zgjidhjes së qendrueshme për veriun; mbrojtja e enklavave serbe në jug të Kosovës; ruajtja e identitetit serb dhe e trashëgimisë fetare; si dhe sigurimi i pronës private.
Fillimisht në mbështetje të planit doli Britania e Madhe përmes ambasadorit të saj në Beograd, Ian Cliff, i cili gjithësesi vendosi disa kushte.
Kushtet në fjalë kërkojnë që: Serbia të heqë barrikadat në veri të Kosovës, të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun teknik dhe të shpërbëjë strukturat paralele në Kosovë.
Top Channel