Opozita maqedonase vlerëson se qeveria nuk është duke i trajtuar si duhet raportet ndëretnike dhe i përdor ato vetëm për përfitime politike.

Deputeti i Lidhjes Social Demokrate, Gordan Georgiev këto akuza i bazoi në një anketë të publikuar ditëve të fundit, në të cilën shumica e shqiptarëve janë shprehur se nuk i besojnë kryeministrit Nikolla Gruevski.

Këto të dhëna janë shqetësuese, tha deputeti social-demokrat, duke potencuar rëndësinë e madhe që kanë marrëdhëniet ndëretnike për proçeset eurointegruese të Maqedonisë.

“Të gjithë e dimë mirë se raportet ndëretnike janë një nga detyrat kryesore të pashtruara nga BE për Maqedoninë. Nuk mund t’i fshehin problemet ndëretnike. Janë shqetësuese të dhënat e anketës së fundit ku tregohet se 85% e shqiptarëve në Maqedoni nuk kanë besim tek kryeministri Nikolla Gruevski dhe mendojnë se ai nuk i mbron të drejtat e tyre. Ky fakt nuk mund të fshehë as marrëveshjet mes VMRO-së dhe BDI-së”, deklaroi Georgiev.

Akuzat e opozitës u lëshuan në Këshillin për Eurointegrime, ku u prezantua Programi nacional për miratimin e së drejtës së BE-së, që paraqet një dokument kyç për procesin e integrimit të Maqedonisë në BE.

Vërejtjet e tjera të opozitës për këtë program nacional kishin të bënin me lirinë e mediave, presionit ndaj administrates dhe sundimin e së drejtës.

Duke reaguar ndaj kritikave të opozitës, deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski, tha se nuk duhet politizuar ky program që është shumë i rëndësishëm për Maqedoninë. Ai ftoi të gjitha partitë të kontribuojnë bashkarisht për integrimin e vendit në BE.

“Problemi për integrimin e Maqedonisë është jashtë vendit. Mendoj se duhet së bashku të shfrytëzojmë kryesimin epresidencës së BE-së nga Danimarka për të fituar atë që na takon, pra çeljen e negociatave për anëtarësim. Duhet ta kemi parasysh se pas Danimarkës, kryesimin e merr Qipro, e cila në raport me çështjet e jashtme të Greqisë paraqitet si satelit i saj, gjë që do të zvogëlojë në mënyrë drastike shanset tona për të qenë në rend dite në BE”, theksoi Milloshovski.

Ndërsa zv.kryeministrja për Çështjet Evropiane, Teuta Arifi, e cila prezantoi Programin nacional për miratimin e së drejtës së BE-së,  theksoi se pavarësia e gjykatave, lufta kundër korrupsionit dhe reformat në administratën publike mbeten edhe këtë vit prioritete të qeverisë.

Më herët ishte vetë kryetari i LSDM-së, Branko Cervenkovski, që pasi e krahasoi Gruevskin me Millosheviçin, deklaroi se tensionet ndëretnike në Maqedoni janë skenare të pushtetit aktual. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA