
Lidhja Demokratike e Kosovës denoncoi të mërkurën heqjen e portretit të presidentit historik Ibrahim Rugova nga salla ku mbahen mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri fajësoi partinë në pushtet të Hashim Thaçit për këtë veprim të pandërgjegjshëm, sic e quajti ai.
“Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, nuk është si çdokush tjetër, presidentët mund të vijnë e të shkojnë, por një president historik dhe një Ibrahim Rugovë ka pasur Kosova dhe si i tillë do të mbetet gjatë gjithë historisë”, u shpreh Beqiri.
Sipas tij, kjo nuk është hera e parë sepse edhe në prag të shpalljes së pavarësisë është hequr njëherë fotoja e madhe që ka qenë në hollin e Kuvendit, e rikthyer më pas për shkak të reagimit të deputetëve të LDK-së, por edhe të të tjerëve.
Beqiri më tej u tërhoqi vërejtjen disa zyrtarëve të PDK-së, që sipas tij, në deklarimet e tyre e përmendin shumë shpesh Rugovën, përkulen pranë varrit të tij, ndërsa në anën tjetër heqin fotografinë e tij. Ai këtë sjellje të zyrtarëve të PDK-së e cilësoi si “thikë pas shpine”.
Më tej Ismet Beqiri, në emër të LDK-së dhe të grupit parlamentar të kësaj partie kërkoi publikisht që të kthehet fotografia e presidentit historik Ibrahim Rugova aty ku ka qenë dhe po ashtu kërkoi që të mos luhet në këtë mënyrë me figurën e tij.
Më 21 janar u përkujtua përvjetori i ndarjes nga jeta të liderit historik të Kosovës, ku politikanët u bashkuan të gjithë përreth memorialit të tij në Prishtinë.
Top Channel