
Një delegacion i Departamentit amerikan të Mbrojtjes ka mbërritur të mërkurën në Prishtinë, ku janë takuar me ministrin e Brendshëm, Bajram Rexhepi.
Sipas raportimeve të “REL”, në qendër të bisedimeve ka qenë situata ë sigurisë në Kosovë dhe thellimi i bashkëpunimit dypalësh në këtë fushë.
Nënsekretarja e Mbrojtjes, Sellest Wallander dhe ministri Rexhepi kanë rënë dakord lidhur me nevojën e rishikimit të sektorit të sigurisë në Kosovë, në përputhje me situatën aktuale.
Ndër të tjera, zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se Kosova ka arritur progres në konsolidimin e institucioneve përgjegjëse për sigurinë, në veçanti me kapacitetet e policisë.
Shqetësimi kryesor përsa i përket sigurisë në Kosovë është situata në veri, ku barrikadat vazhdojnë të jenë të pranishme bashkë me serbët që i mbikëqyrin ato.
Shefat e misioneve ndërkombëtare janë takuar disa herë me liderët serbë për t’i bindur për lëvizjen e barrikadave dhe kthimin e lëvizjes së lirë, por deri tani bisedimet kanë dështuar.
Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews deklaroi muajin e kaluar se situata në këtë zonë është e qetë dhe nënvizoi se heqja e barrikadave është përgjegjësi e serbëve lokalë.
Ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen deklaroi para pak ditësh se për veriun duhet një zgjidhje politike dhe paqësore, larg armëve dhe dhunës.
Top Channel