Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë asnjë fond të veçante për t’u dalë në ndihmë komunave sa i përket situatës së rëndë pas reshjeve të mëdha të borës.

Megjithatë, kryeministri kosovar gjatë mbledhjes së rregullt tha se, qeveria ka ngritur nivelin e gatishmërisë në mënyrë që t’u dilet në ndihmë qytetarëve.

Ndërkohë, zv/kryeministri Hajredin Kuçi premtoi se qeveria do t’i përgjigjet çdo kërkese të komunave të Kosovës rreth kësaj çështje.

“Janë në gatishmëri të gjitha institucionet, do ndahet një fond i veçantë dhe në bazë të nevojave do të shpërndahet”, deklaroi Kuçi.

Gjatë ditës së enjte, pas angazhimit më të lartë të kompanive borëpastruese, raportohet për zhbllokimi të rrugëve malore të Shalës dhe disa lagjeve të veriut të Kosovës.

Po kështu, gjendje më e mirë raportohet edhe për rrethin e Dukagjinit. Ndërkohë, të gjitha rrugët kryesore sipas policisë janë të kalueshme përveç rrugës që të çon për në Malin e Zi.

Në anën tjetër, pas rezultateve të autopsisë rezultoi se viktima me inicialet K.A, shtetas i Maqedonisë i cili u gjet i vdekur nga policia e Kosovës, nuk ka vdekur nga ftohti por nga shkaqe natyrale.

I ftohti i madh që ka kapluar Kosovën ditën e djeshme “ngriu” gjithçka. Temperaturat shënuan -23 gradë Celsius, rrugët u vështirësuan dhe spitali i Prishtinës nisi të trajtojë vetëm rastet urtgjente, pasi në këto ditë janë anuluar ndërhyrjet  kirurgjikale rutinë. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA