Greqia është pranë nënshkrimit të marrëveshjes për marrjen e një kredie të re madhore, pasi faktorët politikë në vend duket se kanë gjetur një marrëveshje mbi reformat e reja të kursimit në vend.
Kryeministri Lukas Papadhimos ka udhëhequr bisedimet me kreditorët privatë, Bankën Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke siguruar një miratim të gjerë.
Marrëveshja e re do të imponojë një reduktim prej 20% të pagës minimale në vend, ulje të mëtejshme të pensioneve dhe shkurtimin nga puna të 15 mijë punëtorëve në administratë.
Ndërkohë, protesta dhe greva shpërthyen në vend si rezultat i përmbajtjes së marrëveshjes, me transportin publik që u paralizua dhe më shumë se 20 mijë persona që u ngjeshën përpara dyerve të Parlamentit për të protestuar.
Në një sektor të turmës, bëri përshtypje djegja e flamurit gjerman, në shenjë revolte ndaj vendit që ka udhëhequr bisedimet me Greqinë.
Athina ka nevojë të menjëhershme për një këst të ri madhor kredie, pa të cilin nuk mund të paguajë rreth 20 miliardë euro shpenzime, midis pagave shtetërore dhe kësteve të huave të marra, në muajin mars.
Kryeministri Papadhimos është shprehur se qeveria e tij është e gatshme të çojë deri në fund reformat e domosdoshme, por në të njëjtën kohë ai ka bërë të qartë se pa paratë e nevojshme, vendi do të jetë i detyruar të shpallë falimentimin.
Top Channel