Fabio Capello dha dorëheqjen e tij nga detyra e trajnerit të Anglisë, konfirmoi Federata (FA) vendase mbrëmjen e së mërkurës.
Trajneri i mirënjohur Italian lajmëroi për largimin e parevokueshëm presidentin e FA-së, David Bernstein dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Alex Horne, pas një takimi të ndodhur në ambientet e stadiumit “Wembley”.
Ditën e hënë, 65-vjeçari sulmoi publikisht vendimin e Federatës për t’i hequr John Terry shiritin e kapitenit.
Në komunikatën e FA-së, shkruhej: “Takimi midis drejtuesve dhe Capellos u bë me qëllim që të qartësohej pozita e dyanshme pas deklaratave të bëra në një intervistë televizive. Në takimin që zgjati një orë, dorëheqja e tij u pranua dhe ai largohet nga kreu i kombëtares angleze në mënyrë të menjëhershme”.
Gjithashtu, Capello falenderohej për kontributin që ka dhënë për përfaqësuesen angleze dhe “sjelljen e tij jashtëzakonisht profesionale gjatë kohës së drejtimit”.
Federata nuk do të bëjë komente të mëtejshme deri në një konferencë për shtyp, ditën e enjte. Vendimi i heqjes së shiritit të kapitenit nga Terry erdhi pasi ai është në hetim për ofendimin racist të kryer ndaj një kundërshtari në një ndeshje të Premier League.
Të dielën, Capello foli në televizionin “RAI”, ku u shpreh se i duket e padrejtë që vendimi për të privuar dikë nga qënia kapiten të vijë përpara se autoritetet sportive të shprehen nëse lojtari është apo jo fajtor.
Top Channel