Tirana zyrtare i ka dhënë Prishtinës të gjithë mbështetjen dhe përkrahjen për qëndrimet e deritanishme në negociatat që po zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë një takimi që kryeministri Berisha zhvilloi me negociatoren e Kosovës në Bruksel, Edita Tahiri, ata u shprehen se, “problemet në veriun e Kosovës janë probleme të krijuara dhe të manipuluara nga Beogradi”.
Ata theksuan se, “respektimi i marrëveshjeve nga Serbia dhe heqja e strukturave paralele nga veriu i Kosovës është një kusht përcaktues për ecurinë normale të procesit të Brukselit”.
Të dy politikanet ndanë të njëjtin mendim se Shqipëria dhe Kosova besojnë se respektimi i kufijve aktualë të jugut të Ballkanit është interesi më i mirë për të gjithë rajonin.
Kryeministri Berisha dhe kryenegociatorja Tahiri vlerësuan se çdo skemë që do të konsideronte ndryshim kufijsh, do të sillte një zinxhir të tërë ndryshimesh në zona të tjera të kufijve, çka bie ndesh plotësisht me aspiratën europiane të vendeve dhe kombeve të Ballkanit.
Dialogu për çështjet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit ka filluar në mars të vitit të kaluar dhe deri tani, me ndërmjetësimin e BE-së, janë zhvilluar në disa raunde.
Me qëllim rifillimin e tyre, ndërmjetësi i BE-së Robert Cooper dhe shefi i delegacionit serb në këtë proces, Borisllav Stefanoviç janë takuar të mërkurën në vjenë.
Bllokimi i dialogut ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve mes palëve për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, me Serbinë që thotë se duhet bërë në bazë të rezolutës 1244 dhe Kosovës që e kundërshton një opsion të tillë.
Top Channel