
Danny, sulmuesi portugez i Zenitit të Shën Pjetërburgut, ka pësuar një dëmtim të rëndë në gjurin e djathtë gjatë një seance stërvitore dhe do të qëndrojë 8 muaj jashtë fushave të futbollit.
Në këtë mënyrë, jo vetëm që sulmuesi i krahut do të humbasë pjesën e mbetur të sezonit me Zenit, por edhe “Euro 2012” me Portugalinë, turne që do të zhvillohet në Ukrainë dhe Poloni.
Sipas klubit rus, Danny ka këputur ligamentin e kryqëzuar të gjurit të djathtë. Futbollisti portugez ka pësuar një dëmtim të njëjtë edhe në vitin 2009. Në atë rast nuk luajti futboll për një vit të tërë.
Ndërsa në nëntorin e kaluar ka pasur probleme të tjera me gjurin që e lanë pa luajtur përgjatë një muaji.
“Nuk e kuptoj pse po më përndjekin këto dëmtime. Nuk e kam problem dhimbjen që ndjej në gju, por jam shumë i trishtuar. Gjithsesi do bëj gjithçka për tu rikthyer në fushë”, theksoi Danny në faqen në internet të klubit rus.
Zenit do të ndeshet në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve me portugezët e Benfica.
Top Channel