I ftohti i madh që ka kapluar Kosovën ka “ngrirë” gjithçka. Temperaturat po shënojnë –23 gradë celsius, rrugët janë vështirësuar, spitali i Prishtinës po trajton vetëm rastet urtgjente, pasi në këto ditë janë anuluar ndërhyrjet  kirurgjikale rutinë.

Në këto ditë të akullta, ku instituti Meteorologjik paralajmëron uljen edhe më tej të temperaturave, kompania që siguron ngrohjen e kryeqytetit  “Termokos”, ka ndërprerë ngrohjen për të gjithë qytetarët, ku nuk është përjashtuar as spitalii Prishtinës.

Kjo gjendje është bërë e padurueshme për qytetarët, të cilët pohojnë se mungesa e ngrohjes në këto ditë me acar është e paarsyeshme.

Ndërkohë, zyrtarë të “Termokos”-it arsyetojnë se mungesa e ngrohjes ka ardhur si pasojë e bllokimit të autobotëve në kufi për shkak të motit që po mbretëron.

Për më tepër, në këto ditë të vështira nga i ftohti, edhe korporata Elektro-Energjetike po aplikon reduktimet e energjisë elektrike. Ndërkohë, Instituti Meteorologjik njofton se moti do të jetë më rreshje dëbore gjatë gjithë ditës së mërkurë, e temperaturat minimale deri ditën e enjte do të jenë nga -16 gradë deri -23 gradë celsius në vendet kodrinore malore, e të enjten mund të bien edhe më poshtë se kaq.

Në anën tjetër, Policisë së Kosovës njofton se rrugët kryesore magjistrale janë të kalueshme, por që disa prej tyre kalohen me vështërsi edhe me zinxhirë.

Një gjendje më të rëndë raportohet për rrugët lokale, ndërsa të bllokuara vazhdojnë të mbesin rruga Pejë-Kullë-Rozhaj, po ashtu rruga që çon për në Rugovë të Pejës si dhe rruga për në rajonin e Mitrovicës në Bajgorë.
 
Gjendja më e rëndë raportohet në rajonin e Pejës, ku nga reshjet e pandërprera të borës është vështirësuar qarkullimin në këtë rajon. Si pasojë, shumë fshatra kanë mbetur të bllokuara, po ashtu nga pesha e madhe e borës, janë rënuar tre kulme shtëpish dhe tri lokale afariste.

Ndërkohë vetëm gjatë 24 orëve të fundit raportohet se janë shënuar rreth 70 aksidente trafiku me lëndime dhe me dëme materiale, por fatmirësisht nuk ka pasur me fatalitete.
 
Moti i keq ka ndikuar edhe në punë e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Raportohet për anulimin e shumë fluturimeve.

Top Channel