Moti i ftohtë dhe i acartë në Kosovë ka bërë që autoritetet lokale të pezullojnë mësimin edhe për arsimin e lartë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, të cilat i referohen Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, që ka pezulluar cdo proçes arsimor në mbarë vendin.

Si pasojë e vendimit janë shtyrë të gjitha provimet, marrja e firmave, e notave dhe aktivitetet e tjera akademike, njofton “RTK”. Proçesi mësimor pritet të rifillojë më 13 shkurt.

Ndërkohë, banorëve të Prishtinës u ka dalë një tjetër problem që ka të bëjë me ngrohjen në këto ditë të akullta. Kjo, pasi kompania që menaxhon rrjetin e ngrohjes së kryeqytetit, “Termokos”, ka mbaruar lëndën djegëse, mazutin.

Për rrjedhojë, mëngjesin e sotëm kompania nuk ka qenë në gjendje t’u ofrojë ngrohje konsumatorëve, për shkak të vonesave të cisternave që kanë pasur vështirësi në qarkullim.

Megjithatë, kompania njofton se gjatë ditës autobotet me mazut do të mbërrijnë në destinacionet e tyre dhe gjatë pasdites banorëve të Prishtinës do t’u mundësohet ngrohja.

Temperaturat e ulta dhe reshjet e dëborës kanë paralizuar Kosovën duke ndikuar në rrjedhën normale të jetës. Shkollat fillore dhe të mesme do të vazhdojnë të jenë të mbylluara edhe për një javë, kohë gjatë së cilës parashikohen edhe temperatura –22 gradë celcius.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, rrugët magjistrale janë të lira për qarkullim, ndërsa në zonat malore ka vështirësi të mëdha.

Situata më problematike paraqitet në pikën kufitare me Malin e Zi, në Kullë, që ndodhet në rajonin e Pejës, ku mund të kalojnë me pajisje dimërore vetëm automjetet që peshojnë nën 3.5 ton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA