Kryetari i LSDM-së, Branko Cervenkovski deklaroi se tensionet ndëretnike në Maqedoni janë skenare të pushtetit aktual.

Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një takimi me qytetarët e Manastirit, ku theksoi se tensionet ndëretnike në shtet po i krijojnë partitë në pushtet.

Cervenkovski shkoi edhe më tej kur qeverisjen e kryeministrit Nikolla Gruevski e krahasoi me atë të Sllobodan Millosheviçit.

Ai u shpreh se, pushteti po akuzon opozitën për tensionet në Strugë, incidentet në Kalanë e Shkupit dhe ndërprerjen e regjistrimit të popullsisë, edhe pse për të gjitha këto, sipas tij, përgjegjëse janë VMRO-DPMNE dhe BDI.

“Në Strugë ka sërish tensione, njerëz nervozë, protesta, përdhosje të kishave, manastireve dhe xhamive. Ky fenomen është përhapur edhe nëpër zonat e tjera të Maqedonisë. Kush janë personalitetet më të ekspozuara politike në tërë këtë punë? Dy kryetarët e komunave, njëri i komunës së Strugës nga radhët e BDI-së dhe tjetri nga Vevçani nga radhët e VMRO-DPMNE-së”, deklaroi Cervenkovski.

“Dhe Gruevsk sërish del dhe thotë se prapa këtyre akteve qëndron provokimi i opozitës. Cilët janë eksponentët e opozitës që po e bëjnë këtë?. Tërë Maqedonia e ka parë se kush i organizoi protestat”, shtoi ai.

Kreu i LSDM-së nënvizoi më tej se, Maqedonia është shëndërruar në një vend rekordesh përsa i përket ndërtimit të përmendoreve, duke aluduar se përmes këtyre projekteve po bëhet pastrim parash.

Deklarata e tij vjen pak ditë pasi Komisioni Shtetëror Antikorrupsion kërkoi që Cervenkovski të përgjigjet penalisht për shkak të mosdeklarimit të disa pronave të bashkëshortes së tij në Kroaci dhe Serbi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA