Ministri i Bujqësisë në Kosovë, Blerand Stavileci, ka reaguar menjëherë pas shkrimeve në media se “toka e bukës në Kosovë është e helmuar dhe se konsumi i produkteve bujqësore të vendit paraqet rrezik real për jetën”, duke hedhur poshtë një gjë të tillë.

“Konsumi i frutave, perimeve, mishit apo produkteve blektorale, përfshirë qumështin, gjalpin e djathin, me të cilat ushqehen qytetarët, mund të rezultojnë edhe me vdekje”.

Kështu ka konstatuar një raport i Komisionit Europian, të cilin e ka publikuar gazeta Express në Prishtinë, ku ndër tjera thuhet se toka bujqësore është e kontaminuar mbi normat e lejuara me metale të rënda, në veçanti krom, nikel, plumb, zink dhe arsenik.

Koncentrimi i lartë i këtyre ndotësve thuhet se është në të gjithë Kosovën. Syzana Bytyçi nga Zyra për Informim e Komisionit Europian, në një përgjigje me shkrim për Top Channel shpjegon se ky studim nuk e ka analizuar nëse ka, dhe deri ku shkon efekti i substancave të dëmshme në zinxhirin ushqimor. Si pasojë e këtij studimi, Bashkimi Europian do të japë ndihmë që të bëhet një tjetër studim i detajuar, në mënyrë që të kemi qartësi mbi efektet potenciale të dëmshme. Shpresojmë që qeveria do ta pranojë ofertën tonë për veprime të mëtejshme, thuhet në përgjigjen e Zyrës Ndërlidhëse.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrit të Bujqësisë, Blerand Stavileci. Ai ka deklaruar për Top Channel, se ky hulumtim nuk ka bazë shkencore.

“Nuk ka asnjë lidhje shkencore, asnjë argument shkencor që të lidhë përfundimin e këtij raporti me prodhimet tona. Përderisa nuk ka një lidhje të tillë, besoj se këto përfundime nuk vlejnë”, deklaron Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci.

Ministri Stavileci thotë se toka pjellore e Kosovës është e shëndetëshme dhe se prodhuesit nga Kosova bëjnë analiza të rregullta që e mbështesin këtë.

“Shumë prej këtyre prodhuesve eksportojnë nëpër vendet e Bashkimit Europian dhe bëhen analiza dhe asnjëherë nuk ka patur dicka të tillë për të cilën duhet të shqetësohemi”, shton ministri Stavileci.

Sidoqoftë, Ministri Stavileci porosit qytetarët që të konsumojnë produkte vendore, sepse sipas tij, ato nuk janë aspak të dëmshme dhe nuk ka hapësirë për shqetësim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA