“Shqip” solli në takimin e përjavshëm një intervistë ekskluzive me albanologun kanadez, Robert Elsie.
I njohur për studimet e tij në fushën e gjuhësisë dhe për studimet e
publicistikën për shkrimtarët shqiptarë në anglisht, që nga Migjeni e
deri tek Ismail Kadare, Elsie solli një përshkrim të natyrës së gjuhës,
folklorit dhe gjithë gamës së kulturës sonë.
Pasi tregoi peripecitë e tij në mësimin e gjuhës shqipe, me udhëtimet sa në Tiranë, sa në Prishtinë, ai u ndal tek vecantitë e gjuhës shqipe duke u shprehur se “shqipja është një gjuhë e vjetër, një sfidë për cdo studiues të saj dhe me një pasuri dialektesh të larmishme”.
Duke u ndalur tek debati që herë pas here përfshin qarqet gjuhësore shqiptare, ai mbi gjuhën standarde, Robert Elsie deklaroi se kjo është një cështje e shqiptarëve, por shtoi se “shqipja tashmë ka standardizimin e saj”.
Lidhur me të folmen e shqiptarëve të vendosura në vise jashtë kufijve të Shqipërisë, Elsie vlerësoi gjuhën e arvanitasve në Gadishullin e Peloponezit në Greqi. Por ai tha se kjo gjuhë, një shqipe e vecantë, sic tha ai, është në zhdukje dhe askush s’po bën dicka për ta ruajtur. “Të gjithë arvanitasit që flasin shqip në Peloponez, fatkeqësisht janë mbi 80 vjec”, tha ai.
Më tej albanologu kanadez foli për disa nga shkrimtarët shqiptarë, vepra të të cilëve i ka përkthyer edhe në anglisht. Elsie u ndal tek Fishta dhe “Lahutën e Malcisë” të cilën e ka përkthyer në anglisht duke vlerësuar “magjinë” e kësaj vepre. Për Migjenin profesor Robert Elsie shprehu vlerësimet e tij më të mëdha. “Një autor që pasqyron realitetin e asaj kohe”, tha ai, duke u ndalur më pas tek Ismail Kadare, të cilin e vlerësoi për kontributin e vyer që ka dhënë e po jep me shkrimet e tij në lëmin e gjuhës shqipe duke e pasuruar atë.
“Shqipëria dhe shqiptarët kanë gjuhë të bukur, bëjnë letërsi të bukur, por ajo që e pengon letërsinë shqipe të hyjë në tregun ndërkombëtar është mungesa e përkthyesve”, u shpreh albanologu Elsie.
Profesori kanadez foli për vështirësitë që has në botimin e veprave të tij për shkak të mungesës së fondeve dhe vështirësive për gjetjen e botuesve. Ai foli për një sërë librash publicistike e studimorë që trajtojnë cështje të kombit shqiptar, që nga cështja çame deri tek misionet e agjencive të spiunazhit britanik dhe amerikan për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri në vitet 1947-1948.
“Kam një libër enciklopedi e figurave historike të Shqipërisë, të cilin sapo e mbarovë, një libër për Çamërinë me dokumente historike, pa botuar edhe veprat e Edit Durhamit, Lufta Ballkanike 1913 në Maqedoni me dokumente historike dhe një libër për operacionin e agjencive të zbulimit amerikane dhe angleze në Shqipëri në ‘47-48 me intervista dhe dokumente të tjera të kohës”, deklaroi profesori.
Prof. Robert Elsie nënvizoi rëndësinë e promovimit të letërsisë dhe kulturës shqipe. Ai tha se cdo shtet ka fonde shtetërore për promovimin e kulturës së vet, ndërsa në Shqipëri nuk ishte në dijeni të një fondi të tillë.
Pjesa e fundit e “Shqip” iu kushtua pasionit tjetër të prof. Robert Elsie: fotografisë. Ai përshkroi se si ishin realizuar fotot e para nga trevat shqiptare dhe autorët e tyre.
Top Channel