Kosova vazhdon të përballet me acarin dhe kjo ka bërë që jeta ta
ndërpresë rrjedhën e saj normale.Shkollave fillore dhe të mesme u është
zgjatur edhe një javë më shumë ndërprerja e procesit mësimor nga ana e
Ministrit të Arsimit, Ramë Buja.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, rrugët magjistrale janë të lira për qarkullim, ndërsa në zonat malore ka vështirësi të mëdha lëvizjeje.Situata më problematike paraqitet në pikën kufitare me Malin e Zi, në Kullë, që ndodhet në rajonin e Pejës, ku mund të kalojnë me pajisje dimërore vetëm automjetet që peshojnë nën 3.5 ton.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 28 aksidente me dëme materiale dhe vetëm 7 me lëndime, ndërsa për fat të mirë asnjë me fatalitet. Në anën tjetër, zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Viktor Buzhala, ka thënë për Top Channel se situata e furnizimit me energji elektrike është stabilizuar, por gjendja emergjente vazhdon edhe më tej për shkak të motit të ftohtë.

Sipas tij, kategoria A dhe B po furnizohen pandërprerë me rrymë, ndërsa ajo C është 4 me 2, në favor të dritave. Gjatë së hënës temperaturat minimale janë regjistruar nga minus 8 deri në minus 11 gradë celsius, ndërsa maksimalja nga minius 6 deri në minus 4. Një situatë e tillë, sipas Drejtorit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj do të vazhdojë deri të mërkurën dhe të enjten, ku temperaturat do të zbresin edhe më shumë gjatë natës. Deri në minus 22 gradë celsius do të shkojnë temperaturat gjatë këtyre dy netëve. Po sipas, Tahirsylaj, reshjet e borës do të ndërpriten gjatë së mërkurës, të enjtes, por do të kthehen pasditen e së premtes. Temperaturat pritet të rriten gjatë mesit të shkurtit, por do të jenë prapë nën zero gradë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA