Temperaturat e ulta dhe reshjet e dëborës kanë paralizuar Kosovën duke ndikuar në rrjedhën normale të jetës. Shkollat fillore dhe të mesme do të vazhdojnë të jenë të mbylluara edhe për një javë, kohë gjatë së cilës parashikohen edhe temperatura –22 gradë celcius.

Bora dhe akujt nëpër rrugë kanë shkaktuar probleme për këmbësorët, por edhe për makinat. Në Qendrën Klinike Universitare, gjatë javës së fundit, sipas drejtorit të Ortopedisë dr. Faton Morina, janë paraqitur rreth 40 raste. Ndërsa, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, janë regjistruar 28 aksidente me dëme materiale dhe vetëm 7 me lëndime, për fat të mirë asnjë me fatalitet.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, rrugët magjistrale janë të lira për qarkullim, ndërsa në zonat malore ka vështirësi të mëdha për qarkullim. Situata më problematike paraqitet në pikën kufitare me Malin e Zi, në Kullë, që ndodhet në rajonin e Pejës, ku mund të kalojnë me pajisje dimërore vetëm automjetet që peshojnë nën 3.5 ton.  

Pastrimi i rrugëve dhe trotuareve në Prishtinë ka qenë tema e takimit të kryetarit Isa Mustafa me drejtues të kompanive borë-pastruese, ndërsa janë ftuar edhe qytetarët që të ndihmojnë duke larguar borën para dyerve të shtëpive dhe të lokaleve.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Korporatës Energjetiketë Kosovës, Viktor Buzhala, ka thënë për Top Channel se situata e furnizimit me energji është stabilizuar, por gjendja emergjente vazhdon edhe më tej për shkak të motit të ftohtë.

Gjatë ditës së hënë temperaturat kanë arritur deri në minus 11 gradë. Një situatë e tillë, sipas Drejtorit të Institutit Hidrometerologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj, do të vazhdojë deri të mërkurën dhe të enjten, ku temperaturat do të ulen edhe më shumë gjatë natës. Deri në minus 22 gradë do të shkojnë temperaturat gjatë këtyre dy netëve, ndërsa ditën do të jetë deri në minus 8 gradë. Po sipas, Tahirsylajt, reshjet e borës do të ndërpriten gjatë së mërkurës, të enjtes, por do të kthehen pasditen e së premtes.

Top Channel