Përfaqësuesit ilegalë të komunave serbe në veri të Kosovës kanë deklaruar se janë duke bërë përgatitjet e fundit për mbajtjen e referendumit.
Proçesi në fjalë synon të tregojë nëse serbët e Kosovës pranojnë ose jo autoritetin e institucioneve të Prishtinës, por nuk gëzon as mbështetjen e kësaj të fundit e as atë të Beogradit.
“Komisionet zgjedhore po bashkëpunojnë mes tyre, janë caktuar këshillat e votimit, si dhe janë emëruar personat përgjegjës për menaxhimin e referendumit”, ka deklaruar Lubo Radoviç, një nga anëtarët e komisionit.
Sipas tij, në katër komunat veriore janë ngritur 84 qendra votimi, ku do të mund të votojnë 35 mijë e 500 qytetarë. Referendiumi në veri ka shkaktuar një debat të fortë mes përfaqësuesve të komunitetit serb dhe Beogradit zyrtar.
Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç deklaroi në fillim të muajit se ideja për referendumin është “gatuar” në kuzhinat e huaja.
Ai u shpreh se vendimi përfundimtar do të tregojë se çfarë është më e rëndësishme për liderët e veriut të Kosovës, interesi shtetëror dhe ai i qytetarëve, apo ai i qendrave të tyre të huaja.
Ndërsa në fund të vitit të kaluar vetë presidenti serb Boris Tadiç, kritikoi serbët e veriut duke thënë se referendumi vetëm sa do të rëndojë më tej situatën.
Gjithashtu, kundër janë shprehur edhe zyrtarë të tjerë serbë, të cilët sugjerojnë se e gjithë bota e di se serbët e Kosovës nuk do t’i pranojnë kurrë institucionet e Prishtinës.
Top Channel