Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar se asnjë term do të hiqet apo do të vihet në identifikimin e Kosovës në nismat rajonale. “Nuk do të ketë asnjë shtesë në emërtimin Republika e Kosovës.

Në procesin e dialogut kemi hyrë si të barabartë dhe Kosova përfaqësohet si subjekt shtetëror në të gjitha nivelet”, ka deklaruar Jahjaga.

Në një intervistë për “DW”, presidentja ka theksuar se në të njëjtën mënyrë shteti i saj do të vazhdojë të përfaqësohet në rajon e më gjerë.

Përsa i takon situatës në veri, në vecanti rezistencës së komunave me shumicë serbe, zonja Jahjaga ka theksuar se zgjidhja mund të vijë vetëm nga plani “Ahtisari”, duke përjashtuar cdo mundësi për një status special.

“Serbët, qytetarët e Republikës së Kosovës, që jetojnë në pjesë të tjera të Kosovës, nëpërmjet procesit të decentralizimit janë integruar brenda institucioneve dhe këtë praktikë duhet të aplikojnë edhe banorët e tre komunave në veri, pjesë e territorit të Republikës së Kosovës”, ka nënvizuar Jahjaga.

Ndër të tjera, presidentja ka vlerësuar si mjaft të rëndësishme praninë e Republikës së Kosovës në konferencën e 48 të sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

Gjatë qëndrimit në Gjermani, Jahjaga u takua me komisionerin evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle, i cili përcolli mesazhin se perspektiva evropiane e Kosovës varet nga vetë institucionet e këtij vendi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA