
Në udhëkryq ka përfunduar takimi prej mëse pesë orësh i kryeministrit Lukas Papadhimos me krerët e tre partive të koalicionit qeveritar Papandreu, Samaras dhe Karatzaferis, për të pranuar Athina kushtet e Troikës në mënyrë që të marrë paketën e shpëtimit dhe t’i shmanget falimentimit.
Dy prej tyre nuk kanë rënë dakord me kërkesat e paraqitura nga përfaqësuesit e FMN, BE dhe BQE duke i quajtur ato tepër të rënda për tu mbajtur nga shpatullat e qytetarëve.
“Na kërkojnë më shumë recension se sa duron Greqia”, ka deklaruar Samaras në përfundim të takimit, ndërsa udhëheqësi i ultranacionalistëve Karatzaferis ka thënë se “nuk do kontribuoj në shpërthimin e revolucionit nga mjerimi që do të përvëlojë më pas Europën”.
Udhëheqësit e tre partive të koalicionit qeveritar, kanë marrë edhe 24 orë afat për tu konsultuar në këshillat kombëtare të partive të tyre dhe do të rifillojnë bisedimet, pasditen e së hënës, për t’i dhënë pergjigjje dilemës më të vështirë të shfaqur para tyre, të falimentojë vendi apo të varfërohen grekët.
Greqia që po jeton me masa të rrepta kursimi për mëse dy vjet, ndodhet me shpatulla pas muri, sepse me një recension për të pestin vit rresht dhe me një papunësi në masën 20%, dështimi i negociatave do të sillte falimentimin e saj dhe daljen nga Eurozona brenda disa javësh.
Me vështrimin tek zgjedhjet parlamentare të pranverës, partitë e koalicionit që deklarojnë se janë në një presion tepër të madh nga Brukseli dhe kreditorët e huaj, kundërshtojnë masat e reja shtrënguese si uljen e pagës minimale nga 750 në 600 euro, pushimin e menjëhershëm nga puna i 15000 nënpunësve të administratës shtetërore, heqjen e pagës së 13 dhe 14, reduktimin e pensioneve shtesë në masën 35%.
Top Channel