Duket se ekipi mbrojtës i Fatmir Limajt, në ceshtjen Klekca nuk do ta presë shumë gjatë prokurorinë, për ekspertizën grafologjike të dëshmive të Agim Zogajt.

Avokati Karim Kan depozitoi të hënën në gjykatë, analizën që i ka bërë dorëshkrimeve të Agim Zogajt, eksperti i institutit të kriminalistikës në Shqipëri, Hysen Kotri.

Sipas avokatit dhe sipas përfundimit që ka nxjerrë Kotri nga disa pjesë të ditarit të Zogajt, rezulton se ky ditar është shkruar nga të paktën katër persona. Sipas dokumentit, Kotrika krahasuar shkronjat vec e vec të cilat në disa raste janë shkruar në forma të ndryshme. Me këtë analizë mbrojta e Limajt vetëm sa forcon dyshimet e saj rrethditarit të Agim Zogajt dhe vërtetësisë së tij.

“Kjo është një arsye që të paktën gjykata të urdhërojë një eskpertizë profesionale të grafologjisë dhe ne do ta thërrasim ekspertin që do të bëjë këtë ekspertizë për ta marrë në pyetje në cilesinë e dëshmitarit”, tha Tahir Rrecaj, avokat i Fatmir Limajt.

Në seancën e së hënës ka vazhduar përpjekja e palës mbrojtje për ta marrë në pyejte në cilësinë e dëshmitarit prokurorin e cështjes Maurisio Salustro.

Trupi gjykues ka dëgjuar për disa orë argumentet e avokatëve lidhur me këtë cështje. Në mesin e argumenteve më të fuqishme është edhe ai se Zogaj dhe bashkëshortja e tij Ganimete Thaci e kanë akuzuar prokurorin për presion dhe ndërhyrje në dëshmi.

“Në qoftë se vërtetohen akuza të tilla prokuroi ka shkelur ligjin në mënyrë jo vetëm proceduriale. Në qoftë se vërtetohet marrja me dhunë e dëshmive sipas nenit 163 të Kodit Penal që në rastet më të rënda, siç është ky, mund të shkojë edhe deri në 10 vjet burg”, tha Tahir Rrecaj, avokat i Fatmir Limajt.

Por prokurori Salustro refuzon të intervistohet si dëshmitar në këtë rast. Ai gjatë seancës tha se asnjëherë nuk e ka intervistuar i vetëm dëshmitarin tashmë të vdekur Agim Zogaj. Ndërsa nëpërmjet një letre e ka rekomanduar mbrojtjen që t’i intervistojë personat e tjerë të cilët sipas prokurorit ishin prezent gjatë kohës kur po merrej në pyetje dëshmitari i vdekur.

Në mesin e këtyre personave janë gjashtë oficerë policie, dy zyrtarë ligjor dhe një përkthyes. Por dicka e tillë ishte papranueshme për palën mbrojtëse.

Avokati Karim Kan përmendi raste kur dëshmitari X ka nënshkruar dokumente nën presionin e prokurorit Salustro dhe kur në ato raste nuk ka qenë askush tjetër prezent.

Avokati, Karim Kan ka insistuar vazhdimisht që prokurori Salustro të mos fshihet pas imunitetit. Pasi një dëshmi e tij sipas avokatit nuk do ta pengonte punën e EULEX-it por do të mundësojë të ngrihet pavarësia e kësaj procedure gjyqësore.

Top Channel