Bashkimi Evropian nuk e ka mirëpritur idenë e ish-koordinatorit të Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, për shkëmbime territoresh mes Serbisë dhe Kosovës.

Maja Koçijançiç, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të BE Catherine Ashton, ka deklaruar se Unioni nuk e sheh si zgjidhje ndarjen e Kosovës.

“Të gjitha këto kërkesa janë shumë të qarta. Sa herë i referohemi Kosovës, i referohemi integritetit të plotë territorial të saj”, ka thënë Koçijançiç për “Radio Dukagjini”.

Duke iu referuar raport-progresit të vitit të kaluar të Komisionit Evropian, zëdhënësja ka theksuar se duhet hartuar sa më shpejt një plan gjithëpërfshirës për veriun.

“Kosova duhet të shënojë progres në kryerjen e reformave. Duhet të shohim se dialogu me Serbinë po vazhdon dhe se do të ketë rezultate të mëtejshme”, ka shtuar Koçijançiç.

Presheva për Kosovën, veriu për Serbinë

Busek deklaroi fundjavën e kaluar se Prishtina dhe Beogradi duhet të nisin diskutimet për ndryshime territoriale të hartës së dy shteteve. Në një prononcim për KTV-në, ai tha se kjo është zgjidhja më e mirë për të siguruar stabilitet afatgjatë.

Sipas tij, ky “shkëmbim territoresh” do të shpërblehej me statusin e vendit kandidat për Serbinë dhe njohjen nga pesë vendet e mbetura të Bashkimit Europian për Kosovën.

Busek tha se, është e arsyeshme që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, tre qytetet serbe me popullsi dërrmuese shqiptare dhe rrethinat e tyre, të përfshihen në shtetin kosovar. Nga ana tjetër, krahinat me popullsi serbe në veri të Kosovës do të kalonin në shtetin e tyre “nënë”.

”Jam i bindur që nëse bisedimet aktuale nuk do të sjellin asnjë zgjidhje, atëherë ndarja mbetet e vetmja mundësi”, u shpreh Busek.

Aleanca Kuqezi: Jo pazar me tokën e Kosovës

Ndaj kësaj deklarate reagoi ashpër Aleanca Kuqezi, e cila theksoi se ndarja e Kosovës është një ide pa asnjë bazë.

”Kufijtë e Kosovës nuk janë dhe nuk mund të jenë një çështje pazaresh”, u shpreh AK në një deklaratë të botuar për shtyp mëngjesin e së dielës.

”Ne mbështesim projektin amerikan për Kosovën, pasi shkëmbimi i territoreve nuk është garanci për stabilitet. Propozimi i Erhard Busek nuk është aspak konstruktiv për rajonin”, vlerësoi Aleanca.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA