“Greqia e ka kaluar limitin kohor që BE i kishte vendosur për mbylljen e negociatave me kreditorët privatë për ristrukturimin e borxhit. Një vonesë kjo që nuk mund të injorohet”.
Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Komisionit Evropian, i cili ka theksuar se Brukseli shpresonte të shihte vendime gjatë fundjavës, në mënyrë që të mblidhte Eurogrupin, që duhet të japë dritën jeshile për ndihmat e reja të mërkurën.
Sipas zëdhënësit të komisionerit për Çështjet Ekonomike, Olli Rehn, të gjitha palët janë të gatshme të japin maksimumin, por ka një vonesë që nuk mund të tolerohet.
“Tani ne shpresojmë vetëm që të shohim angazhimet e duhura për të cuar përpara situatën”, ka nënvizuar zëdhënësi, duke sqaruar se Eurogrupi është gati të mblidhet sapo të arrihet marrëveshja në tryezë.
“Topi tani është në fushën e grekëve, të cilët janë të vonuar në vendimet që ne prisnim të merreshin gjatë fundjavës, por nga ana jonë vazhdon bashkëpunimi maksimal, në mënyrë që qeveria të arrijë në një marrëveshje për reformat”, ka pohuar zëdhënësi.
Ai është shprehur se trojka BE-BQE-FMN nuk kërkon më masa anti-krizë por vetëm aplikimin e një programi shkurtimesh tashmë të miratuar, sepse për momentin Athina është vonë me privatizimet dhe reformat.
“Greqia ka pasur një solidaritet të jashtëzakonshëm dhe pa këto ndihma, duke parë arsyet kronike të krizës së saj, do të kishte falimentuar prej kohësh”, ka thënë burimi.
Ndërkohë, KE i ka hapur rrugë zgjerimit të skemave të jashtëzakonshme të ndihmave për bankat greke. E para ka të bëjë me rikapitalizimin e Fondit Helen të Stabilitetit për vitin 2010; ndërsa e dyta me një paketë masash që daton në vitin 2008 për disa skema rikapitalizimi, garancish dhe likuiditeti.
Për Brukselin, zgjerimi i ndihmave është në linjë me rregullat e emergjencës në temën e ndihmave shtetërore dhe është i justifikuar si mjet i përshtatshëm për t’u bërë kontrast alternimeve të ekonomisë greke.
Top Channel