Për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve të mëdha të borës që kanë bllokuar disa pjesë të Kosovës, Ministria e Arsimit ka marrë vendim për pezullim të procesit mësimor për tërë javën e ardhshme.
Ministria e Arsimit njofton se, ky vendim vlen për të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në tërë territorin e Kosovës procesi mësimor pritet të rinisë më datën 13 shkurt.
Nga e hëna paralajmërohet për reshje të vazhdueshme të borës dhe temperaturave të ulëta çka pritet të vështirësojë edhe më shumë lëvizjen në mbarë vendin.
Bllokime nga bora ka pasur edhe në rajonin e Dukagjinit. Bëhet e ditur se, kryesisht në Rugovë, rrugët janë bërë të pakalueshme, ndërkohë që në pjesët turistike Boge dhe fshatra të tjera të Rugovës kanë mbetur të bllokuar shumë turistë.
Ndërkohë, policia e rajonit të Ferizajt njofton se, të dielën pritet të normalizohet qarkullimi rrugor nga Brezovica për në Qendrën e Skijimit, e mbyllur para pak ditësh nga një ortek i madh bore, duke e lënë të izoluar këtë qendër, por edhe shumë vizitorë.
Në Qendrën e Skijimit, njoftohet se kanë mbetur të izoluar edhe një grup studentësh dhe nxënësish nga Prishtina, të cilët kishin shkuar në eskursion.
Si rrjedhojë e situatës së krijuar nga reshjete mëdha të borës, Komuna e Shtërpcës mori vendim të premten që të ndalojë qarkullimin e njerëzve dhe makinave nga Brezovica për në Qendrën e Skijimit.
Nga disa lajmërime të mëvonshme është bërë e ditur se të izoluarit në Qëndrën e Skijimit janë zhbllokuar nga forcat shpëtimit.
Top Channel