Ministria e Ekonomisë trefishon abuzimet

05/02/2012 08:15

Nuk mjaftojnë shkeljet e zbuluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por tashmë është edhe Auditi i Brendshëm, strukturë në varësi të qeverisë, i cili ka konstatuar vjedhjen e pronës publike dhe buxhetit në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Sipas një raporti të publikuar në të përditshmen “Shqip” e që mban firmën e drejtorit të Auditit të Brendshëm, në Ministrinë e Ekonomisë, Ertrit Sofroni, për vitin 2011 janë zbuluar shkelje të shumta në sektorin e investimeve, prokurimit publik, pagave dhe shpërblimeve, e deri te dhënia me qira apo shitja e pronës publike, me vlerë 2.5 milionë dollarë, ose tri herë më shumë se abuzimet e zbuluara në 2010-n.

Edhe pse arka e shtetit është në krizë, duket se për një kategori të caktuar të punonjësve të shtetit, ky fakt nuk u bën përshtypje, por vijojnë të fusin duart te fondet e taksapaguesve shqiptarë.

Shkeljet dhe sektorët

Për zbulimin e shkeljeve në sektorë të ndryshëm, inspektorët e Auditit të Brendshëm në Ministri pranojnë se kanë konstatuar një sërë problemesh të shumta dhe me pasoja të rënda.

“Drejtoria e Auditit ka nxjerrë në pah hallkat më të dobëta dhe jo funksionale të sistemit, të cilat kanë sjellë dhe pasojat e tyre negative në përdorimin me dobi, kursim dhe frytshmëri të fondeve publike”, thotë raporti.

Gjetjet kryesore të rezultuara nga kjo veprimtari lidhen kryesisht me mosfunksionimin siç duhet të sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm (zbatimi i buxhetit), në fushën e investimeve publike, në fushën e prokurimeve publike dhe ankandit publik, sikurse edhe atë të pagave dhe pagesave.

Mësohet gjithashtu, se probleme janë hasur edhe në fushën e zbatimit të akteve ligjore dhe procedurale, deri në moszbatim apo keqinterpretim të VKM-ve apo ligjeve.

Më konkretisht, gjetjet në fushën e menaxhimit financiar dhe vlera e dëmit ekonomik e konstatuar nga DAB, konsiston në 246 096 000 lekë (afro 2.5 milionë dollarë), ose 171 802 000 lekë më shumë nga viti 2010, ku vlera e përgjithshme e zbulimeve nga struktura e auditit pranë METE-s, ishte 74 294 000 lekë.

Po cilat janë fushat ku abuzimet kanë qenë më të shumta? Gati 1.5 milionë dollarë janë zbuluar në sektorin e pagave dhe pagesave për punonjësit, veçanërisht në llogaritjet e dietave brenda dhe jashtë vendit, orët e punës jashtë orarit, shpërblimet etj., si dhe në prokurimet e ankandet publike.

Auditi i Brendshëm në Ministri vlerëson se peshën kryesore e zënë gjetjet në ato fusha të cilat në planin vjetor kanë qenë përcaktuar si fusha me risk më të lartë dhe që lidhen kryesisht me zbatimin jo të drejtë të kuadrit ligjor.

Masat e “lehta”

Ndryshe nga KLSH, Auditi i Brendshëm është treguar më i kursyer me shkelësit e ligjit. Edhe pse pranon se janë zbuluar një mori abuzimesh me fondet e taksapaguesve shqiptarë, Drejtoria e Auditit në Ministrinë e Ekonomisë është mjaftuar vetëm me lëshime masash administrative, që zakonisht janë gjoba, ulje në detyrë apo largim, por jo me kallëzim penal, pra dërgimin e dosjes për hetim të mëtijshëm nga Prokuroria.

Vlera e abuzuar 2.5 milionë dollarë ka kaluar pa asnjë ndëshkim të ndonjë zyrtari, por vetëm me rekomandime për më “shumë kujdes herën tjetër”.
 
“Për të gjitha të metat, mangësitë dhe shkeljet e disiplinës financiare të konstatuara, auditet kanë ndërhyrë dhe rekomanduar masa organizative dhe disiplinore për përmirësimin e gjendjes”, thuhet në raport.

Në përgjithësi rekomandimet e dhëna nga DAB gjatë vitit 2011 janë 418, të ndara sipas prioritetit, i lartë, i mesëm dhe i ulët, ku dominon me 70 për qind, “i ulëti”.

Sa u takon zyrtarëve të ministrisë dhe institucioneve në varësi të saj, të audituara, ku janë gjetur edhe shkeljet, është lëshuar masë disiplinore vetëm për 5 punonjës, ku tre janë drejtues të nivelit të lartë dhe asnjë kallëzim penal.

Pavarësisht kësaj, drejtoria e auditit e konsideron sukses punën e kryer, duke u mjaftuar vetëm me zbulimet dhe jo me shqyrtimin e çështjes, ndjekjen e saj etj.

Përplasja me KLSH-në

Ndonëse plani vjetor si total rezulton i realizuar dhe i tejkaluar, me rreth 50 kontrolle, Drejtoria e Auditit të Brendshëm, në Ministrinë e Ekonomisë, thotë se ka pasur shmangie nga kontrolli për 9 njësi.

“Auditimi nuk është realizuar plotësisht për arsye që lidhet, ndër të tjera, me mbivendosjen e misioneve të auditimit të parashikuara nga strukturat e auditimit të brendshëm me kontrollet e kryera nga institucione të tjera, veçanërisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA