Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare në Kosovë shprehen të habitur me qëndrimin e fundit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që deklaroi se nuk do të hiqet termi Republikë nga përfaqësimi rajonal.
Analisti nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, Naim Rashiti mendon se perfaqësimi i Kosovës pa termin Republikë është çështje e mbyllur.
Kjo, jo për shkak të refuzimit nga Serbia, por se në këtë mënyrë Bashkimi Europian, në mungesë konsensusi, tenton ta bëjë Kosovën pjesë të proceseve integruese.
“Fjala Republika e Kosovës, nuk do të mund të përdoret. Jo për shkak të Serbisë, por për shkak të marrëdhënieve me BE-në. Formula Kosovë, me një dominimin ose shënim, do të jetë e pranueshme për BE-në dhe do të mundësojë lidhjen e marrëdhënieve kontraktuale dhe të gjitha proceset deri në statusin e kandidatit. Ndonëse është një zgjidhje momentale për përfaqësimin rajonal, emri do të aplikohet në të gjitha forumet europiane për një kohë të gjatë”, theksoi Reshiti.
Sipas tij, debati rreth fjales Republikë është i kotë sepse Kosovës i duhet të zgjedhë mes fjalës Republikë dhe avancimit të marrëdhënieve me Bashkimin Europian. Por, ndryshe mendon profesori i të drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, i cili e sheh Republikën si element të domosdoshëm të përfaqësimit të një shteti.
“Mendoj që është një element që duhet domosdoshmërisht të jetë pjesë përbërëse e prezantimit juridik ndërkombëtar të Kosovës, sepse pa këtë termë flasim për modalitete të tjera të veçanta, që nuk janë të barabarta në familjen e gjerë ndërkombëtare. Kosova mund të pranojë një shënim që reflekton mosnjohjen e saj nga një shumicë shtetesh, por kurrsesi nuk duhet të jetë dakord me heqjen e një elementi, si fjala Republikë, që zbreh të drejtën e saj të sovranitetit”, argumentoi Hoti.
Aktualisht nuk dihet për takimin e radëhs mes palës kosovare e asaj serbe për shkak të qendrimeve shumë të kundërta. Por ajo që është e sigurt sipas analistëve është se marëveshja e përfaqësimit rajonal do të arrihet para mbledhjes së këshillit të ministrave të Bashkimit Europian.
Top Channel