Kryeministri i Greqisë, Lucas Papadhimos, do të mbajë gjatë të dielës bisedime të rëndësishme me krerët kryesorë politikë në vend, në mënyrë që të sigurojë një unanimitet për reformat e domosdoshme.
Më parë gjatë 2011-s, vendet e Bashkimit Europian pranuan t’i akordonin Athinës një kredi të domosdshme prej 130 miliardë eurosh, me kusht që disa reforma thelbësore të realizoheshin.
Megjithatë, me shumë prej reformave që kanë ngecur, Greqia nuk ka mundur ende të sigurojë këstin e radhës dhe nëse marrëveshja nuk do të realizohet, vendit i mbetet vetëm të shpallë falimentimin e plotë në muajin mars.
Ministrat e Financave të Eurozonës dhe kreditorët privatë kishin parashikuar mbajtjen e një takimi në Athinë ditën e hënë, por bisedimet u shtynë.
Papadhimos shpreson që deri në takimin e ardhshëm, të jetë në gjendje të sigurojë mbështetjen e të gjithë faktorëve politikë në vend për planin e debatueshëm të shpëtimit, të hartuar nga qeveria e tij teknike.
“Ky është një moment vendimtar”, deklaroi Ministri i Financave, Evangelos Venizelos. “Nëse do të ketë një marrëveshje, është e domosdoshme që ajo të arrihet gjatë së dielës”.
Aktualisht, borxhet e Greqisë përllogariten në pothuajse 500 miliardë euro, të barazvlefshme me 160% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Top Channel