Gjermani, Dortmund e vetme në krye

05/02/2012 00:00

Borussia Dortmund që nga e shtuna është e vetme në krye të renditjes së Bundesligës. Kampionët në fuqi kryesojnë klasifikimin e kampionatit gjerman pasi Schalke 04 dhe Bayern Munchen nuk shkuan dot më shumë se barazimi 1-1 në takimet e tyre.

Schalke 04 e pa veten në disavantazh në pjesën e parë ndaj Mainz pas golit të Zidan, ndërsa në pjesën e dytë, pas sulmeve të shumta, arriti të barazonte me anë të Obasi.

Edhe Bayern Munchen nuk arriti të dalë në lojën e tij në fushën e Hamburgut duke marrë vetëm 1 pikë. Goli i shënuar në pjesën e parë nga vendasit (Iacoppo Sala ’23) bëri që bavarezët të ishin edhe më konfuzë në krijimin e aksioneve.

Vetëm hyrja në pjesën e dytë e Ivica Olic bëri që ekipi i drejtuar nga Heynckess të barazonte. Sulmuesi kroat përfitoi nga një rrëmujë në zonë për të çuar shifrat në 1-1.

Me këto rezultate, Borussia Dortmund kalon e vetme në krye të Bundesligës me 43 pikë (pas fitores 2-0 të premten ndaj Nurenberg), ndërsa Bayern Munchen dhe Schalke 04 ndjekin me 2 pikë më pak.

Në vend të katërt renditet Borussia Monchengladbach me 40 pikë, pas barazimit 0-0 në transfertë ndaj Wolfsburg.

Top Channel