E detyruar, ndoshta për shkak të defekteve të shumta, CEZ-i ka stakuar linjat për disa zona të ndryshme të vendit, duke mos kursyer edhe rrethinat e Tiranës, informoi gazeta “Shqip” në numrin e së dielës.
Ulja e temperaturave e ka rritur më tej konsumin e energjisë elektrike, ndërsa linjat e kanë të pamundur të mbajnë kapacitetin, duke krijuar probleme avarie dhe shkëputje të rrymave.
Për këtë shkak, CEZ-i njoftoi se në fundjavë, një pjesë e Tiranës, kryesisht periferia, nuk do të kishte furnizim të rregullt me drita, për të paktën katër orë.
Shkak kësaj here është bërë instalimi i transformatorit të ri, 10 MV në nënstacionin Dinamo. “Për këtë arsye, nga ora 09.00 deri më 13.00 do të ketë ndërprerje të energjisë për: zona afër shinave të trenit, rr. “Jordan Misja”, një pjesë e rrugës ‘Siri Kodra’, ‘Paskuqan’, Kodër Institut, lagjet 2, 3 dhe 5 në Bathore, zona pranë ish-“Josif Pashkos”, Babrru, Paskuqan, Komuna Zall Herr dhe zona e Kodrës së Kuqe”, bën të ditur kompania çeke, “CEZ Shpërndarje”.
Shoqëria sqaron se, “instalimi i transformatorit 10 MV do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji për banorët e këtyre zonave”, por, nga ana tjetër, nuk specifikon nëse ndërhyrja ishte e planifikuar me kohë, në kuadër të investimeve, apo si pasojë e gjendjes emergjente nga rrjeti i dobët dhe koha e keqe.
Sakaq, kompania ka publikuar listën e punimeve që do të kryejë javën e ardhshme në disa zona të vendit, e cila do të shoqërohet me kufizimin e dritave, prej 3-5 orësh, deri në datën 9 shkurt dhe të shpërndara në rajone, kryesisht rurale (jug dhe veri).
Mungesa e energjisë elektrike e bën menaxhimin e të ftohtit nga dimri akoma e më të vështirë, sidomos tani kur gazi apo drutë, mjetet alternative kushtojnë gjithnjë e më shumë.
CEZ pranon se rrjeti ka probleme dhe se nevojiten investime të mëdha, ndërsa zgjidhja nuk mund të vijë e shpejtë.
Top Channel