Projketet monoentike të qeverisë së Shkupit janë shkaku kryesor për tensionimin e vazhdueshëm të raporteve ndëretnike në Maqedoni, vlerësojnë analistët.
Gjatë një debati lidhur me incidentet e fundit, analistët shqiptarë thanë se projektet qeveritare si “Enciklopedia Maqedonase”, ku u fyen rëndë shqiptarët, nxisin urretjen e të rinjve maqedonas ndaj shqiptarëve, e cila më pas reflektohet në forma të ndryshme.
“Për fat të keq mund të konstatojmë se raportet ndëretnike dhe ato ndërfetare vazhdimisht bëhen sfidë për bashkëjetesën tonë dhe në një mënyrë elementë të ndryshëm mundohen që të përfitojnë nga kjo gjendje e krijuar. Ne jemi të vetëdijshëm që në Maqedoni gjithmonë do të ketë individë dhe grupe të cilat do të mbjellin urretje dhe do të tentojnë të njollosin të tjerët, por konsiderojmë se këto grupe mund të mbeten të margjinalizuara nëse shoqëria vendoset në mënyrë të përshtatshme ndaj tyre”, deklaroi analisti Muhamed Murtezi.
Analistët kritikuan institucionet shtetërore edhe për mosveprimin e tyre në incidentet e fundit. Ata thanë se shteti nuk po merr masat e nevojshme për të ruajtur marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.
“Unë nuk kam informata se shteti ka ndërmarrë ndonjë aktivitet kundër atyre që shkaktojnë incidente ndëretnike. Mendoj se qeveria dhe institucionet e shtetit janë mjaft të zbehta në këtë drejtim dhe kjo ndoshta është një provokim shtesë ndaj atyre që e ndiejnë veten të prekur në ndejnjat e tyre fetare dhe nacionale”, u shpreh analisti tjetër Nazmi Maliqi.
Ndërkohë, me gjithë apelet e shumta për uljen e tensioneve, fyerjet në baza etnike ndaj shqiptarëve janë përsëritur të enjten në një ndeshje basketbolli në Shkup, ndërsa në internet është paraqitur një këngë në gjuhën maqedonase ku në mënyrë cnjerëzore fyhen shqitparët.
Në Maqedoni s’kanë të ndalur provokimet etnike dhe fetare. Në muret e një xhamie në qytetin e Manastirit, mbrëmjen e së martës persona të panjohur kanë shkruar grafitin ‘Vdekje për shqiptarët’.
Një institut gjerman vlerësonte në një analizë të pak ditëve më parë se përplasjet ndëretnike në Maqedoni por edhe më gjerë mund të cojnë Ballkanin drejt ndryshimit të kufijve.
Top Channel