Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka deklaruar se është i gatshëm të
takohet me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, por vetëm për të
biseduar mbi planin e tij 4-pikësh.

Duke folur nga qyteti boshnjak i Jahorinës, ku u takua me homologun kroat dhe atë boshnjak, Tadiç tha se Beogradi është i interesuar për bisedime që do të conin në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Sipas “REL”, presidenti serb ka lënë të kuptohet se ka përgatitur planin e tij për Kosovën, që propozon një status të vecantë për veriun e banuar me shumicë serbe.


Plani 4-pikësh
konkretisht bën fjalë për: zgjidhjen për veriun e Kosovës, mbrojtjen e manastireve dhe trashëgimisë serbe, mbrojtjen e pasurive të patundshme dhe sigurinë e serbëve që jetojnë në enklava.

Kur prezantoi planin në fjalë Tadiç paralajmëroi se për zbatimin e tij Serbia do të kërkojë mbështetjen e fuqive të mëdha që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

Nga ana e saj Prishtina zyrtare e ka kundërshtuar këtë plan. Vetë kryeministri Hashim Thaçi, në një intervistë për “REL”, deklaroi se është i gatshëm të takohet me Tadiç, por përjashtoi cdo mundësi për një status të vecantë për veriun.

“E ardhmja e veriut është e ardhmja e Kosovës, në respekt të Kushtetutës, ligjeve dhe dokumentit të presidentit Ahtisari. Pra, në asnjë rrethanë nuk do të ketë një status special. Një gjë e tillë asnjëherë nuk është shtruar për t’u diskutuar e jo më të jetë propozuar nga dikush”, deklaroi Thaçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA