FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë se
sasia e importeve nga jashtë po ulet nga viti në vit, duke sinjalizuar
rënie të mëtejshme të konsumit.
Në dhjetë muajt e parë të vitit të kaluar, importet totale në sasi ishin sipas doganave rreth 3 milionë e 800 mijë tonë ose 4.5 për qind më pak se sa e njëjta periudhë e një viti më parë. Ky është viti i dytë rresht kur volumi i importeve bie. Në vitin 2010 madje tkurrja ishte edhe më e fortë, gati 12 për qind.
Shifrat tregojnë se rënia e importeve ka prekur thuajse të gjitha produktet, që nga ushqimet bazë dhe deri tek lëndët e para. Por rënia ka qenë më e fortë tek ato produkte, të cilat përdoren për konsum direkt. Sipas doganave importi i mallrave të gatshëm për konsum final u ul në dhjetë muajt e parë të 2011-ës me mbi 11 për qind, duke sinjalizuar për një rënie të mëtejshme të konsumit.
Ndryshon sjellja e konsumatoreve
Ekspertët thonë se rënia e konsumit është e lidhur me dy shkaqe kryesore. Së pari kriza ka ndryshuar sjelljen e konsumatorëve, të cilët hezitojnë të shpenzojnë dhe po priren më shumë drejt kursimit për shkak të pasigurive. Në dy vitet e fundit rritja e depozitave në banka ka qenë të paktën 2 herë më e lartë se sa ritmi i rritjes në vitet e mëparshme.
Edhe pse një pjesë e kësaj rritje është e lidhur me transferimin e kursimeve nga emigrantët për shkak të situatës jo të mirë financiare në disa vende fqinje, sërish banka e shqipërisë thotë se ajo reflekton edhe ndryshimin e sjelljes së individëve. Megjithatë hezitimi dhe pasiguritë nga kriza nuk janë shkaku i vetëm që po frenon konsumin.
Banka e Shqipërisë thotë se gjatë vitit të kaluar një pjesë e familjeve mund të jenë përballur më rënien e të ardhurave. Familjet e varura nga dërgesat e të afërmve të tyre në emigrim janë ato më të prekurat. Që pas 2007-ës transfertat e emigrantëve kanë rënë mesatarisht me 7-8 për qind në vit dhe vazhdojnë të tkurren me ritme të larta.
Por rënia e të ardhurave mund të ketë prekur edhe të tjera familje vec atyre që varen nga emigrimi. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, të cilave u referohet edhe Banka e Shqipërisë, në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, pagat reale në ekonomi u ulën me 1.8%, vecanërisht për ata që punojnë në sektorin privat, pasi bizneset ose kanë frenuar rritjen e pagave ose i kanë rritur ato më pak se inflacioni. Konsumi është përbërësi kryesor i kërkesës në ekonomi, duke zënë 60 për qind të saj. Rënia e konsumit është shkaku kryesor se pse rritja ekonomike ka rënë në nivelet më minimale të 20 viteve të fundit.
Top Channel