Pas takimit në Mynih me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjagën, komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle renditi në një komunikatë për shtyp mesazhet kryesore të përcjella gjatë bisedës.

“Përgjegjësia për të shënuar rezultate në perspektivën europiane të Kosovës qëndron së pari dhe më së shumti tek autoritetet e Kosovës”, deklaron Fyle që në fillim.

Komisioneri ka përgëzuar presidenten për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave, por i bën thirrje Kosovës që të bëjë pjesën e saj të punës për të garantuar lëvizjen e lirë për qytetarët, si dhe të vijojë zbatimin e reformave në fushën e rendit dhe ligjit.

Komisioni dëshmohet i gatshëm për një marrëveshje tregtare, për të cilën Kosova duhet të përgatitet për negociata, si edhe për një axhendë afatgjatë e gjithëpërfshirëse për veriun e Kosovës.

Fyle kërkon gjithashtu që vendi të vijojë dialogun me Serbinë dhe të jetë konstruktiv dhe i përkulshëm në kërkimin e një zgjidhjeje kompromisi për çështje të rëndësishme, si për shembull bashkëpunimi rajonal.

Top Channel