Dështimi i një martese 30 vjet më parë ishte në fakt, fat i errët që solli në jetë Dritën. Dëshirën e saj për të njohur të ëmën, ajo e pagoi shtrenjtë pasi familja e babait e dëboi nga shtëpia.

Rrugëve të qyteteve të ndryshme të Kosovës duke kërkuar lëmosh, ajo takoi Ismail Rexhepin me të cilin u martua. Martesa e tyre solli në jetë një vajzë por, kasollja e kësaj familje jo rrallë herë këtë fëmijë e lë të uritur, të zbathur dhe pa strehë.

Fati i keq që Dritën e përcolli pas, lë nën hije të ardhmen e brishtë të së bijës. Kushtet e vështira të jetesës e detyruan Dritën të tentojë edhe vetëvrasjen, por shpëtimi i saj ishin policia e Kosovës.

Bashkëshorti i saj, Ismajli nga regjimi jugosllav ishte dëbuar nga puna dhe nga ajo kohë ai nuk ka asnjë të ardhur. Megjithëse në moshë, ai beson që është i aftë për punë dhe u bën thirrje autoriteteve të sigurojnë një vend pune për të.

Varfëria ekstreme dhe një borxh i papërballueshëm për këtë familje, kërcënon ta shndërrojë këtë dimër, në një dimër akoma më të vështirë për ta. Largimi nga ky vend i ngulfatur me varfëri ekstreme ishte i vështirë. Thirrjet për ndihmë të kësaj familje, nuk ishin të vetmet.

Zërat që përcohen për ndihmë të këtij fshati të izoluar, ngjallin shpresë tek këta banorë se zëri i tyre, që nuk u dëgjua nga zyrtarët e komunës së Podujevës, të zgjojë ndërgjegjen e njerëzve përreth tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA