4504 prona! Kaq është numri i ndërtimeve pa leje që kanë përfituar nga procesi i legalizimeve deri më sot nga mbi 270 mijë që kanë aplikuar për legalizim.
Këto janë të dhënat e paraqitura nga një raport i Bankës Botërore i publikuar së fundmi, ku përdorimi i fjalës “korrupsion” është aq i shumtë, sa bie paksa ndesh me politikën e zakonshme të korrektesës diplomatike që përdorin institucionet ndërkombëtare.
Raporti, i publikuar për të dytën ditë rresht në gazetën “Shqip”, vëren se Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale ose ALUIZNI, ka marrë burime të bollshme financiare që paguhen nga taksapaguesit, por procesi ka ecur tejet ngadalë në raport me koston e kësaj ngrehine institucionale.
Njëra anë e dështimit i dedikohet mungesës së parave. Kur dikush premton tokë falas, vështirë se kjo mund të rezultojë e vërtetë. Por një pjesë tjetër e dështimit duket se nuk ka lidhje me paratë.
Rreth një e treta e ndërtimeve pa leje, sipas raportit të Bankës Botërore, janë ndërtime pa leje në pronë të vet dhe në një rast të tillë, nuk ka kosto kompensimi. Megjithatë, procesi nuk ecën.
“Procesi i legalizimit ka ecur ngadalë përkundër burimeve që i janë kushtuar. ALUIZNI është një organizatë e madhe dhe e pajisur mirë me burime, kostot operative të së cilës i mbulon buxheti i shtetit”, thotë raporti. Megjithatë, vetëm 4500 subjekte në 270 mijë të tilla ose vetëm 1.7 për qind e aplikantëve kanë mbaruar punë.
“Agjencia ka njohuri teknike për vrojtimet topografike, bërjen e hartave, aspektet juridike dhe ato urbanistike dhe ka prodhuar harta moderne të kompjuterizuara për të gjithë vendin në bazë të fotografive ajrore të bëra në vitin 2006. ALUIZNI ka prodhuar harta të kompjuterizuara për shumicën e pronave për të cilat ka marrë kërkesë legalizimi. Megjithatë, ka përfunduar vetëm një përqindje e vogël e legalizimeve, titujt e të cilave janë regjistruar nga ZRPP-ja”, thuhet në raport.
Një skemë piramidale
Skema aktuale e legalizimeve është kthyer në njëfarë skeme piramidale, ku shumica dërrmuese e ndërtuesve pa leje kanë paguar paratë për të përfituar vetëm 5400 subjekte.
Qeveria i ka harxhuar disa dhjetëra milionë euro të grumbulluara nga procesi për të kompensuar pronarët e disa tokave të zëna në qytetet kryesore në vend, ku çmimi mesatar i kompensimit rezulton mbi 100 euro për metër katror dhe sërish, numri i përfituesve është minimal.
Është gjithashtu e sigurt se qeveria nuk ka mjete financiare për të kthyer paratë që i ka marrë ndërtuesve pa leje të cilëve u ka premtuar legalizim, ndërkohë që sakaq i ka shpenzuar paratë që u ka marrë.
Ndërkohë, ka shumë pak ose aspak transparencë për subjektet që kanë përfituar legalizim, por shumë prej përfituesve janë kompani që kanë ndërtuar pallate dhe që kanë marrë nën pronësi tokë me çmim qesharak.
Pagimi i kompensimit për shpronësimin për qëllime legalizimi mbetet i pambuluar me fonde të mjaftueshme. AKKP raporton se as ALUIZNI e as buxheti i shtetit nuk e ka siguruar shumën prej 4,5 miliardë lekësh, të nevojshme për të paguar kompensimin e kërkuar me vendimet e legalizimit, të cilat janë paraqitur nga ALUIZNI.
Ekziston rreziku që moskompensimi i pronarëve të shpronësuar të t’i shpallë jo të vlefshme vendimet e legalizimeve, thuhet në raport.
Ndërtimet, 80 mijë jashtë procesit
Raporti thotë se ligji aktual i legalizimeve ka lënë jashtë procesit rreth 80 mijë objekte dhe numri i ndërtimeve pa leje vijon të rritet. Dhe ndërsa ka lënë jashtë legalizimit kaq shumë objekte, qeveria nuk ka paraqitur ndonjë zgjidhje konkrete. Shembja e 80 mijë objekteve nuk duket një opsion realist.
“Po të supozojmë një shifër me rezerva prej 350.000 ndërtimesh të paligjshme gjithsej, krahas 270.592 pronave për të cilat është bërë kërkesa për legalizim, ka të paktën edhe 80.000 prona që mbeten jo të ligjshme dhe jashtë procesit të legalizimit. Për më tepër, numri i ndërtimeve të paligjshme vijon të rritet, me vazhdimin e ndërtimit të objekteve pa leje (ose se kështu vendosin vetë ndërtuesit ose sepse sistemi urbanistik nuk funksionon si duhet)”, thuhet në raport.
Top Channel