Babai plagos djalin, prishi para për të pirë me shokët

04/02/2012 00:00

Shpenzimi i një shume parash nga rroga është bërë shkak për një grindje
mes babait dhe djalit, grindje gjatë të cilës ky i fundit ka mbetur i
plagosur rëndë, duke përfunduar në spital.

Sajmir Boçaj u plagos rëndë me mjete të forta nga babai i tij, ndërkohë që iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. sipas “Shqip”, ngjarja që për pak i kushtoi jetën 32-vjeçarit, banor në qytetin e Urës Vajgurore, ndodhi në familjen Boçaj, pas një grindjeje mes tij dhe të atit.

Ka qenë një telefonatë e mbërritur në sallën operative që ka bërë me dije për sherrin e ndodhur mes familjarëve Boçaj, çfarë ka bërë që uniformat blu të shkojnë menjëherë në vendin e ngjarjes. Informacioni ka mbërritur më pas dhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Beratit, që ka dërguar ekspertë në vendin e ngjarjes. Në banesën e familjes Boçaj është gjetur i plagosur rëndë 32-vjeçari, i cili ishte goditur me mjete të forta në kokë dhe në trup. Ai është dërguar me urgjencë pranë Qendrës Spitalore të Beratit.

Burime të repartit të kirurgjisë bënë me dije se, Boçaj është paraqitur me fraktura në trup dhe plagë të shumta shkaktuar me mjete të forta. Sipas bluzave të bardha, 32-vjeçari iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale si pasojë e disa hematomave të shkaktuara nga goditja me mjete të forta. Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Uniformat blu që shkuan në vendin e ngjarjes prangosën babanë 73-vjeçar të të dëmtuarit, i cili akuzohet për plagosjen e djalit të tij. Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes mësohet se shkak për këtë plagosje është bërë një grindje e çastit mes babait 73 vjeç dhe djalit të tij. Ky i fundit mësohet se ditën e djeshme kishte shpenzuar një shume parash nga paga e tij për të pirë me shokët pas punës, gjë që duket se ka shkaktuar zemërim tek babai. Sipas familjarëve, 32-vjeçari, baba i dy fëmijëve, që punonte në një gurore, ditën e djeshme pasi ishte kthyer nga puna, kishte dalë me shokët për të pirë dhe kishte shpenzuar një pjesë të rrogës që sapo kishte marrë. Kur është kthyer në banesë, djali, që është edhe vetë prind, është përballur me fyerjet dhe më pas dhunën që babai ka ushtruar ndaj tij me mjete të forta.

Kushtet e rënda ekonomike në familjen me gjashtë anëtarësh ku punonte vetëm 32-vjeçari, duket se e kanë bërë të papranueshëm faktin që djali kishte shpenzuar para për qejf. Pasi kanë shkëmbyer fjalë të rënda, babai ka marrë në dorë një dru dhe e ka qëlluar disa herë të birin në kokë dhe në trup, duke e lënë të shtrirë përtokë. Sipas burimeve të policisë, 73-vjeçari u arrestua dhe tashmë do të përballet me veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”.

Top Channel