Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka deklaruar se në asnjë rrethanë do të lejojë heqjen e termit “Republikë” në përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

Në një intervistë për “REL”, Thaci ka theksuar se një gjë të tillë nuk do ta bënte edhe sikur ta kërkonte i gjithë spektri politik në Kosovë.

Sipas tij, qeveria kosovare do t’i përmbahet ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, si dhe planit të hartuar nga ish-kryenegociatori finlandez Marty Ahtisari.

Gjatë intervistës, Thaci ka folur edhe për cështjen e veriut, duke nënvizuar se, e ardhmja e veriut të Mitrovicës është identike me atë të shtetit sovran të Kosovës.

“E ardhmja e veriut është e ardhmja e Kosovës, në respekt të Kushtetutës, ligjeve dhe dokumentit të presidentit Ahtisari. Pra, në asnjë rrethanë nuk do të ketë një status special. Një gjë e tillë asnjëherë nuk është shtruar për t’u diskutuar e jo më të jetë propozuar nga dikush”, ka deklaruar Thaci.

Ai ka theksuar se veriu i Mitrovicës është pjesë e Kosovës, e cila do të funksionojë si një shtet i vetëm, me integritet territorial të garantuar dhe të njohur në rang ndërkombëtar.

Më tej Thaci ka komentuar edhe deklaratat e tij se është i gatshëm të takohet me presidentin serb Boris Tadic, për interesin e dy popujve.

“Është e nevojshme, është e domosdoshme për interesin e dy shteteve, dy popujve tanë, të paqes, të stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, që të ketë takime të liderëve politikë të zgjedhur në mënyrë legjitime të shteteve përkatëse”, ka pohuar Thaci.

Ndërsa lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe përplasjeve mes PDK-së dhe Vetëvendosjes, kryeministri ka shtuar se qeveria e drejtuar prej tij nuk është duke u konfrontuar me askënd.

Top Channel