Reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat e ulta kanë përfshirë edhe Kosovën, ku përvecse janë bllokuar zonat të thella të vendit, vështirësi hasen edhe në qarkullimin në Prishtinë.
Rrugët e Prishtinës janë zbardhur dhe në një pjesë të mirë të tyre kalimi i automjeteve është i rrezikshëm. Për të protestuar ndaj gjendjes së rrugëve, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, në mënyrë simbolike kanë marrë skitë dhe kanë dalë në rrugët e Prishtinës në shenjë demonstrative kundër Komunës, që sipas tyre është përgjegjëse për gjendjen e rrugëve.
Ndërkohë në zonat të thella qarkullimi është bllokuar dhe në shumë të tjera është tejet i rrezikshëm. Në Pejë autoritetet pezulluan mësimin nëpër shkolla për shkak të dëborës së madhe që kishte bllokuar rrugët dhe temperaturave të ulta që bëjnë të pamundur zhvillimin normal të mësimit.
Situata e rënduar në qarkullim është edhe në veri të Mitrovicës, ku përvec barrikadave serbe, që ndodhen prej muajsh tashmë, bora dhe akulli kanë izoluar zona të tëra. Megjithatë, lajmi i mirë është se deri më tani autoritetet nuk njoftojnë për situata emergjence ekstreme që mund të rrezikojnë jetën e banorëve.
Top Channel