Tiranë, dy vrasje brenda pak orësh

02/02/2012 00:00

Një farmaciste u ekzekutua vetëm pak metra nga shtëpia e saj rreth orës 18 e 30 minuta të së enjtes në lagjen Shkozë në Tiranë.

35 vjecarja Elena Basho ka qenë duke shkuar në shtepine e saj, kur është qëlluar me armë tre herë në trup dhe në kokë nga dy persona të armatosur, të cilët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Sipas të dhënave paraprake të policisë, njëri prej tyre e ka qëlluar me armë, ndërsa tjetri ka siguruar zonën, që vrasësin të mos e shikonte askush gjatë momentit të krimit.

Pasi kanë dëgjuar të shtënat e armës, fqinjët e saj kanë dalë jashtë shtëpive të tyre për ta ndihmuar dhe e kanë dërguar urgjentisht në urgjencen e QSUT-së, por plagët e 35 vjecares Basho kanë qenë të rënda, duke e bërë të pamundur kthimin në jetë të saj nga mjekët.

Policia është duke hetuar në dy pista atë të vrasjes brenda familjes, si dhe atë të grabitjes.

Viktima është e martuar dhe me një fëmijë, ndërsa as ajo dhe as familja e saj nuk ka patur asnjë konflikt në kohët e fundit.

Policia tha se ka shoqëruar në rajon dëshmitarë që ndodheshin në afërsi të vendit të ngjarjes, nga dëshmitë e të cilëve priten të merren të dhëna të hollësishme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Vrasje te Komuna e Parisit

Dy persona u qëlluan me armë zjarri rreth orës 21 e 35 minuta në Komunën e Parisit në Tiranë.

Sipas të dhënave policore nga një automjet tip “Nisan” fuoristrade, ngjyrë gri, është hapur zjarr në drejtim të shtetasit Aleksandër Gocaj, 27 vjec, i cili mbeti i plagosur.

Por nga zjarri i pakontrolluar i armës së dy personave që qëlluan me breshëri, plumbat kapën edhe 25 vjecaren Megi Jukici, e cila ishte kalimtare në rrugë. Si pasojë e plumbave të marra, 25 vjecarja, humbi  jetën pak orë më pas në spitalin ushtarak . 

Sipas të dhënave paraprake, policia është vënë në ndjekje të autorëve të krimit, pasi ka arritur të identifikojë targën e tyre.

Policia nuk jep detaje të hollësishme në lidhje me këtë ngjarje, pasi është ende duke kryer ekspertizën në vendngjarje. Por sipas të dhënave paraprake mendohet se ka identifikuar autorët e këtij krimi të rëndë.

Ndërsa pak caste më parë u njoftua një vrasje e tretë tek Rruga e Elbasanit. Por ngjarja e fundit ende nuk është konfirmuar nga organet policore.
 

Top Channel