Luz, konflikt dhe granatë në këshill

02/02/2012 01:14

Mbledhja e Këshillit Komunal të Luzit të Vogël në Kavajë është shndërruar në arenë debatesh e përplasjesh të forta mes këshilltarëve, aq sa kulmoi edhe me hedhje granate në lokalin e Kryetarit të Këshillit.

Shkak i debatit mes këshilltarëve të majtë e të djathtë, që ka vijuar jashtë sallës së mbledhjeve me fyerje dhe konflikt fizik e që fatmirësisht nuk përfundoi në tragjedi, është bërë mosmiratimi i projektbuxhetit 2012 nga të majtët, që kanë kërkuar një material më të plotë mbi të.

Pasdite vonë konflikti është ngushtuar mes Kryetarit të Këshillit të Komunës, Daniel Zeka dhe të afërmit të tij Dashamir Zeka, edhe ky anëtar i këshillit, por me bindje të tjera politike.

Ky konflikt është pasuar nga hedhja e një granate në drejtim të lokalit të kryekëshilltarit, Zeka, që nuk ka shpërthyer.

Specialistët nga Tirana kanë mundur të caktivizojnë granatën që ka shkaktuar panik në fshat dhe ndasi të fortë politike.

Anëtarë të Këshillit Komunal kanë dhënë dëshminë e tyre në polici, ndërsa paraprakisht bëhet e ditur se policia është vënë në kërkim të autorit të dyshuar për hedhjen e granatës.

Top Channel