Drejtori për Evropën dhe Azinë i Shërbimit Evropian të Punëve të
Jashtme, Miroslav Lajcak po viziton Kosovën, ku është takuar me shefin e
misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac.

Sipas mediave kosovare, temat kryesore të takimit kanë qenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit, mbështetja e dialogut me Serbinë dhe kthimi i lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës.

Ndërkohë, ditën e mërkurë Lajcak u takua me presidenten Atifete Jahjaga, e cila dha garancinë e saj për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve nga institucionet e Kosovës.

Jahjaga tha se ligjet dhe Kushtetuta do të zbatohen në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Presidentja vlerësoi gjithashtu se procesi i deritanishëm për integrimin e serbëve të Kosovës ka qenë i suksesshëm, me përjashtim të tre komunave në veri.

“E vlerësojmë situatën në këtë pjesë të vendit si një cështje të rendit dhe të ligjit, ku strukturat kriminale të mbështetura nga Serbia, po i pengojnë institucionet e vendit dhe po mbajnë peng qytetarët serbë të cilët duan një jetë normale”, deklaroi Jahjaga.

Ajo theksoi se për veriun nuk mund të ketë plan tjetër vec atij të Marti Ahtisarit dhe shtoi se për zbatimin e tij qeveria kosovare ka kërkuar bashkëpunimin e banorëve serbë.

Ndërsa Lajcak nga ana e tij vlerësoi se bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm dhe BE është e interesuar që të shohë një rol aktiv të Kosovës në këtë bashkëpunim.

“Dialogu i Kosovës me Serbinë është i rëndësishëm për të dyja vendet dhe ne jemi të interesuar për implementimin e marrëveshjeve që dalin prej tij”, shtoi Lajcak.

Top Channel