Biznesi: Politika të lerë konfliktet

02/02/2012 00:00

Biznesi i kërkon politikës, që në kulmin e krizës ekonomike, të lërë mënjanë perplasjet dhe të përqendrohet  tek sipërmarrja.

“Përshkallëzimi krizës së rënduar ekonomike kërkon në mënyrë absolute stabilitet politik brenda vendit, çka do të thotë më shumë dialog mes klasës politike shqiptare. Për 2-3 ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe që biznesi i ka të nevojshme, duhen urgjentisht të miratohen nga parlamenti shqiptar.Asnjë ndryshim ligjor nuk duhet të miratohet pa diskutime të posaçme nga shoqatat dhe komuniteti i biznesit”, tha Luan Bregasi, nga ‘Business Albania’.

‘Business Albania’ organizoi në Tiranë bashkë me Fakultetin Ekonomik, një konferencë me temë qëndrore se si kriza po prek sipërmarrjen dhe çfarë duhet bërë për ta përballuar atë. Zoti Bregasi shfytëzoi praninë e guvernatorit për të deklaruar se biznesi nuk po përfiton nga ulja e normës bazë.

“Bankat e nivelit të dytë nuk e kanë transmetuar këtë zbritje, në normat e aplikuara prej tyre, kryesisht në koston e kredisë së akorduar sipërmarrjes private. Kërkohet prej Bankës së Shqipërisë, që të monitorojë kostot e produkteve bankare dhe të stimulojë transparencë më të lartë prej bankave tregtare”, tha Bregasi.

Guvernatori Ardian Fullani tha se politika e Bankës Qendrore ka qenë gjithmonë në kah të mbështetjes së biznesit, por edhe ky i fundit duhet të bëjë pjesën e tij për t’u formalizuar, cka do rriste shanset për kredi

“Zbatimi i kërkesave ligjore për raportimin financiar dhe transparencën, si dhe organizimi e drejtimi i aktivitetit sispas standardeve më të mira mbështesim fuqishëm rritjen duke minimizuar rrezikun e kreditimit dhe duke përmirësuar dukshëm aftësinë tuaj për të përdorur financime më të leverdisshme nga sektori financiar dhe bankar”, tha Fullani.

Në konferencën e organizuar me mbështetjen e ‘Busines Europe’ ishte i ftuar edhe ministri i Ekonomisë Nasip Naço, i cili tha se qeveria do ulë edhe më shumë kostot për biznesin, duke reduktuar inspektimet.  

Top Channel