Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar gjatë së enjtes në Kuvendin e Kosovës se “rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit është e tejkaluar dhe se shteti është i përjetshëm”.

Ai e ka bërë këtë deklaratë pas debateve të shumta ditëve të fundit se Kosova në dialogun me Serbinë ka pranuar të heq termin“Republikë” në përfaqësimin e rajonal të shtetit.

”Qëndrimi i shtetit të Kosovës është shumë i qartë, është në përputhshmëri me kushtetutën, ligjet dhe dokumentin e presidentit Ahtisari”, deklaroi Thaçi.

”Ju siguroj të gjithëve se rezoluta 12 44 për mua dhe qeverinë, Kuvendin e popullin e Kosovës është e tejkaluar, ndërsa shteti sovran dhe i pavarur është i përjetshëm”.

Në anën tjetër, në partitë opozitare deklarohen se nëse pranohet të hiqet termi “Republikë” do të ishte anti-kushtetuese.
Po ashtu, sipas opozitës, Kosova po bën tashmë edhe bisedime politike kur po flet për mënyrën e përfaqësimit në nisma rajonale.

Glauk Konjufca, deputet i “Vetëvendosjes” deklaroi se: “Kosova, siç është përcaktuar me nenin 1.1, duhet të përfaqësohet si shtet i pavarur me emrin Republika e Kosovës, siç quhemi edhe në kushtetutë. Gjithçka më pak do të ishte shkelje”.

Nga ana e tij, Ahmet Isufi i “AAK”-së vlerësoi se “bisedat kanë tejkaluar karakterin teknik dhe ato janë shndërruar në thellësisht politike, duke tejkaluar disa herë edhe kuadrin ligjor të Republikës së Kosovës”.

Debati i ditëve të fundit nëse Kosova do të prezantohet me ose pa termin republikë në konferencat rajonale, ka nxitur reagimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi. Ai ka thënë se një tërheqje e tillë është në kundërshtim me kushtetuten e shtetit.

Top Channel