Roman Pavlyuchenko, sulmuesi i Tottenham Hotspurs, është transferuar tek klubi rus i Lokomotivës së Moskës. Lajmin e ka bërë të ditur të mërkurën paradite presidentja e klubit moskovit, Olga Smorodskaya.
Ky lajm është konfirmuar edhe nga faqja zyrtare e klubit londinez.
“Kemi mbyllur marrëveshjen për kalimin e Pavlyuchenko-s tek Lokomotiva. Sulmuesi ka ardhur nga Spartaku i Moskës në gusht të vitit 2008 dhe ka shënuar 42 gola në 113 ndeshje për ne. E falenderojmë për mbështetjen dhe i urojmë suksese në të ardhmen”, lexohet në komunikatën e Tottenham.
Gjatë këtij sezoni futbollisti rus ka luajtur 13 ndeshje zyrtare në Angli duke shënuar 4 gola.
Roman Pavlyuchenko ka qenë golashënuesi më i mirë i kampionatit rus në vitet 2005 dhe 2006, por çuditërisht ka fituar vetëm një trofe në karrierën e tij: Kupën e Rusisë në vitin 2003 me Spartakun e Moskës.
Në vitin 2008, pas disa sezoneve të shkëlqyera me Spartakun dhe një paraqitjeje shumë të mirë në Euro 2008, ku Rusia arriti deri në gjysmëfinale, Pavlyuchenko u ble nga Tottenham për 15 milionë euro.
Top Channel