Dita e fundit e merkatos dimërore nuk ka sjellë të reja të mëdha në Bundesligën gjermane, ku ekipet përfunduan vetëm disa operacione “të vogla”.
Mund të veçohet blerja e senegalezit Mame Biram Diouf nga Hannover 96, ndërsa ekipet më të rëndësishme gjermane nuk blenë lojtarë me peshë e gjithashtu nuk larguan asnjë lojtar të rëndësishëm.
Bayern Munchen, Borussia Dortmund dhe Schalke 04, ekipet që kryesojnë tabelën e klasifikimit në Bundesligë me pikë të barabarta, do ta përballojnë fazën e dytë të sezonit pothuajse me po ata lojtarë me të cilët e kanë nisur atë.
Bayern nuk ka bërë asnjë lëvizje, ndërsa Borussia ka larguar egjiptianin Mohamed Zidan, i cili tashmë do të luajë në Mainz 05. Schalke 04 ka marrë në formën e huazimit nga Hoffenheim sulmuesin nigerian Chinedu Obasi.
Klubi gjerman më aktiv në merkaton e janarit ka qenë Wolfsburg. Blerja më e rëndësishme ka qenë mbrojtësi Ricardo Rodrigues, i ardhur nga FC Zurich. Në total, Wolfsburg ka bërë 7 blerje, mes të cilëve janë mbrojtësi brazilian Felipe (nga Nacional Funchal) dhe sulmuesi nga Bregu i Fildishtë Ibrahim Sisoko.
Top Channel